Thaçi: Korrigjim i kufirit po, ndarje jo

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, apeloi edhe njeherë që të respektohen këshillat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij, kjo është e vetmja alternativë për vendin me popullin më pro-amerikan. Thaçi hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve, por tha se do të ketë korrigjim të kufirit me Serbinë.

“Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos ruajtjes, kultivimit dhe respektimit të këshillave të SHBA-ve. Nëse dikush ka ndonjë hezitim për dëgjimin e këtyre këshillave, pyetja e qytetarit të Kosovës, si populli më pro-amerikan, do të jetë se me kë duhet të bashkëpunojmë dhe këshillat, e cilit vend do t’i respektojmë? Pra, nuk ka alternativë, marrëveshje paqësorë, njohje reciproke me Serbinë dhe respektimi i pa rezervë i këshillave të SHBA-ve”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se Kosova është në anën e drejtë në orientimin e saj përkrah SHBA-ve dhe çdo mosdëgjim apo kryeneçësi është ana e gabuar e historisë.

Këto deklarata, presidenti i vendit i bëri gjatë takimit që zhvilloi sot në qendrën “Abi Çarshia” në Prizren.

Thaçi sërish hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve.

“Ajo është një ide e keqe. Është pazar dhe një gjë të tillë nuk do të lejojmë të ndodhë”, tha ai.

Ai ka thënë se do ta ndryshojë edhe Kushtetutën për ta bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën.

Sipas tij, pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm dhe nëse bëhet bashkimi me Luginën do të bëhet si një shtet i pavarur.

“Korrigjimi i kufirit, po. Me një shtet të pavarur dhe sovran të Kosovës. Me përfshirjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën. Do të punoj për të ndryshuar Kushtetutën. Ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës”,

“Derisa kam qenë në kryeministër është ndryshuar Kushtetua katër herë, prandaj nuk ëhstë fundi i botës nëse ndryshohet ajo. Kjo është një aspiratë për Kosovën”, tha ai.

Thaçi deklaroi se kjo aspiratë i tejkalon aspiratat kushtetuese, por do të punojë që të ndryshojë atë me partitë politike dhe me një debat me shoqërinë civile.

Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës nuk është fundi i botës, pasi këtë e ka bërë 4 herë gjatë kohës sa ka qenë kryeministër.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne