/Klodi Leka/

Filozofi francez Luis Althusser thotë se ideologjia – ose me fjalë të thjeshta ideja sunduese mbi shoqërinë – nuk është fantazi e kulluar, por ka dhe gjen ekzistencë materiale tek aparatet e shtetit.Aparatet janë represive dhe ideologjike. Represive janë qeveria, policia, gjykata etj. Ideologjike janë familja, gazetat, kisha etj. Përmes tyre formohet njeriu i kohës tonë.

Pra, ne jemi këta që jemi, të varfër dhe të nënshtruar, jo se jemi budallenj ose dembelë, por për shkak të sistemit qeverisës dhe klisheve që na janë ushqyer në shtëpi, shkollë e shoqëri. Domethënë, njeriu nuk është krijesë e gënjyer, por qenie e nënshtruar. Ai nuk është dele që refuzon të iluminohet, por njeri që i ndalohet të hidhet në revoltë. Ne e dimë si është realiteti, por na duket i pandryshueshëm.

“Nëse nuk lëviz, nuk do t’i ndjesh prangat që të lidhin” – thotë mendimtarja dhe revolucionarja gjermane Rosa Luxemburg. Dhe ne kemi lëvizur dhe, duke dalë në rrugë, kemi parë se si qeveria është thyer dhe njerëzit kanë fituar besim te vetja. Duke dalë në rrugë s’kemi sfiduar veç kryeministrin që deri më dje shfaqej si zot arrogant e i paprekshëm, por edhe frikën e familjes dhe cinizmin e publikut. Kemi sfiduar aparatet shtetërore të dhunës dhe te rrenës.

Kjo është revolta e vërtetë. Rebelim i njeriut ndaj shtypjes që e godet nga të gjitha anët. “Sepse njeriu” – thotë shkrimtari ekzistencialist Albert Camus – “për sa kohë jeton, rebelohet kundër fatit të tij.” Revolta është fati ynë. Duke dalë në rrugë ne rebelohemi edhe ndaj vetes, ndaj të qenit kafepirës kronikë, të cekët, dembelë, depresivë, partiakë part time pa të ardhme, frikacakë dhe të pashpresë që mendojmë si të arratisemi dhe të gëlltisim dhimbjen.

Prandaj sot do të dalim në rrugë jo veç për të mohuar zhvatjen qeveritare, dhunën ekonomike dhe veten tonë të djeshme, por edhe për të imagjinuar dhe bërë realitet atë që mund të bëhemi nesër. Siç këndonin studentët e revoltuar anekënd botës në vitet ’60: “T’i japim imagjinatës pushtet!”/ teza11

3