RAMALLAH – Bëhet e ditur se 320 banesa të ndërtuara në Gaza nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) iu dorëzuan Ministrisë palestineze të Punëve Publike dhe Strehimit me një marrëveshje të nënshkruar.

Marrëveshja e dorëzimit të banesave të ndërtuara në Gaza për njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre në sulmet e Izraelit është nënshkruar në ndërtesën e ministrisë në Ramallah në praninë e ministrit palestinez të Punëve Publike dhe Strehimit, Mufid el-Hasajine dhe Koordinatorit të TIKA-s Bülent Korkmaz.

Në një deklaratë për gazetarin e AA-së ministri Hasajine tha se banesat janë ndërtuar posaçërisht për nevojat e atyre që humbën shtëpitë e tyre në sulmet e ndërmarra të Izraelit në Gaza.

Ai tha se banesat do t’i dorëzohen 320 familjeve javën e ardhshme. Hasajine shprehu falënderimet ndaj qeverisë turke dhe popullit të saj për mbështetjen e dhënë ndaj palestinezëve.

Ndërsa koordinatori i TIKA-s, Bülent Korkmaz tha se Qeveria e Turqisë do të vazhdojë të punojë me të gjithë entuziazmin e saj për t’i ofruar mbështetje popullit të Palestinës.

Sipas tij, në këtë kuadër edhe TIKA do të rrisë punimet e saj dhe se projekti i ardhshëm do të jetë ndërtimi i 110 shtëpive në Jerusalemin nën pushtim.

Për të plotësuar nevojën për strehim si pasojë e shkatërrimeve nga sulmet që Izraeli ndërmori në Gaza në vitin 2014, TIKA përgatiti një projekt mbi një territor prej 20 dynymë për ndërtimin e 20 blloqeve ku në secilin bllok ka 16 apartamente.

Në 320 apartamentet e planifikuara me një sipërfaqe 100 metër katrorë për secilin parashikohet të vendosen 2.250 persona.


23