Në prag të një udhëtimi në Uashington, Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, i bëri thirrje të martën gjyqësorit amerikan që të ndërmarrë hapa të menjëhershme për të ekstraduar udhëheqësin e grupit terrorist pas grushtit të shtetit të mposhtur vitin e kaluar.

Duke iu referuar organizatës terroriste gyleniste (FETO), Binali Yildirim iu drejtua gazetarëve në Aeroportin “Esenboga” të Ankarasë me këto fjalë: “Tashmë është bërë gjithçka për ekstradimin e kreut të FETO-s. Stivat e dosjeve nuk i nxënë më dhomat. Nëse këto dosje dhe dokumente nuk janë të mjaftueshme, duhet të ketë diçka tjetër të përfshirë në këtë çështje. Ne ndoshta u kemi dërguar më shumë dosje dhe dokumente sesa nevojitet. Prandaj gjyqësori në SHBA duhet të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore dhe të bëjë çfarë është e nevojshme.”

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti të 15 korrikut 2016, si pasojë e së cilës u martirizuan 250 vetë dhe plagosën rreth 2.200 të tjerë.

Ankaraja gjithashtu e akuzon FETO-n se zhvillonte një fushatë shumëvjeçare për përmbysjen e pushtetit duke u infiltruar në institucionet kyçe të Turqisë, sidomos në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Turqia ka akuzuar gjatë SHBA-të për zvarritjen e procesit të ekstradimit të Gulenit duke thënë se e ka kërkuar kthimin e tij në vend me dëshmi më se të mjaftueshme për fajësinë e tij.

Shefi i qeverisë turke u ndal edhe mbi rifillimin e pranimit të kufizuar të aplikimeve për viza me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pas komunikatës së lëshuar nga Ambasada e SHBA-së, edhe Ambasada e Turqisë dha kundërpërgjigjen. Atje është e qartë çdo gjë, është shpjeguar pa i lënë vend ndonjë komenti. Mes dy vendeve ka sidomos disa procedime gjyqësore dhe arrestime. Ka edhe në SHBA, edhe në Turqi. Në të dyja vendet, procedurat zhvillohen sipas sundimit të ligjit dhe normave të shtetit ligjor. Prandaj negociatat e llojit ‘t’i japim garanci SHBA-së’ apo ‘t’i kërkojmë Uashingtonit që të na japë garanci’, nuk përshtaten me parimet e shtetit ligjor”, vlerësoi ai.

Yildirim sqaroi se gjatë bisedimeve me autoritetet amerikane synojnë të marrin në shqyrtim, sipas legjislacionit të dy vendeve aleate, çështjet në lidhje me Sirinë dhe Irakun, luftën kundër organizatës terroriste gyleniste dhe ato çfarë Ankaraja pret nga Uashingtoni, si dhe disa probleme ekzistuese për sa i takon luftës kundër DAESH-it dhe PYD/YPG, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK.

Udhëtimi i Kryeministrit Yildirim në Uashington realizohet mes shenjave të përmirësimit të marrëdhënieve turko-amerikane. Të dyja vendet rikthyen të hënën pjesërisht shërbimet e vizave, pas një krize pothuajse njëmujore për shkak të arrestimit të stafit turk të misionit diplomatik të SHBA-së në Turqi, për lidhje të dyshuara me FETO-n.

 

 

 

 

 

 

 

 

15