Turqia gati për normalizimin e marrëdhënieve mes Katarit dhe vendeve arabe

Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu në një konferencë të përbashkët me homologun gjerman në Ankara tha se Turqia është gati të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Katarit dhe vendeve arabe.

Në lidhje me ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të 7 vendeve arabe me Katarin erdhi edhe reagimi i parë nga qeveria turke.

Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) e ka cilësuar si të trishtueshme tablonë aktuale.

Deklaratat në lidhje me çështjen Çavushollu i bëri gjatë konferencës së përbashkët për gazetarët me ministrin e Jashtëm gjerman Gabriel, i cili ndodhet në Ankara për një vizitë zyrtare.

“Dialogu duhet të vazhdojë me çdo kusht, në mënyrë që problemet ekzistuese të zgjidhen me rrugë paqësore. Na ka ardhur keq për tablonë aktuale. Ne do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për normalizimin e kësaj situate”, theksoi Çavushollu.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm Arabia Saudite dhe Bahrejni njoftuan se kishin vendosur të ndërprisnin marrëdhëniet diplomatike me Katarin.

Më vonë vendimin e Arabisë Saudite dhe Bahrejnit, vende të cilat e akuzojnë Katarin për mbështetje të terrorizmit, e ndoqën Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Jemeni, Libia dhe Maldivet./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne