Vizita e Erdoganit në Amerikë përfundoi me përkeqësim të marrëdhënieve dhe jo me shtendosjen e tyre…

 

Trump këmbëngul në përdorimin e kartës kurde për “shantazh” ndaj tij dhe dobësimin e tij… Pjesëmarrja e tij në samitin saudit vihet në dyshim… Cilat janë mundësitë e tij? A do t’i kundërvihet planit amerikan në Siri dhe Irak?

Abdul-Bari Atuan

Duke pasur parasysh përkeqësimin e përshkallëzuar në marrëdhëniet turko-amerikane, ndoshta nuk do të jetë e sigurt nëse presidenti Rexhep Taip Erdogan do të fluturojë për në Riad për të marrë pjesë në samitin islamiko-arabo-amerikan të dielën e ardhshme, ylli i të cilit do të jetë vizitori i mirëpritur presidenti Donald Trump dhe në të cilin do të themelohet një “NATO” e re islame.

Vizita e presidentit Erdogan në Uashington dhe takimi i mbajtur me presidentin Trump nuk i realizoi atij atë çfarë kërkonte, pra anulimin e marrëveshjes së armëve mes SHBA-ve dhe Forcave të Sirisë Demokratike (SDF apo QSD) dhe të marrjes përsipër nga ana e ushtrisë turke të procesit të “çlirimit” të qytetit Rakka krah për krah me forcat amerikane.

Marrëdhëniet amerikano-turke janë duke lëvizur nga faza e tensionimit në fazën e përplasjes, për shkak se administrata e presidentit Trump vazhdon të jetë e angazhuar ndaj bastit me kurdët si një aleat strategjik që mund të jetë në qendër të politikave të saj në Lindjen e Mesme dhe në veçanti në Siri e Irak. Nga ana e tij, z. Mevlud Çavushoglu bëri thirrje për dëbimin e koordinatorit amerikan në Koalicionin Ndërkombëtar Kundër “Shtetit Islamik” në Irak dhe Siri (Brett McGurk), për shkak të njëanshmërisë së tij ndaj kurdëve. Ndërkohë, presidenti Erdogan theksoi se vendi i tij rezervon të drejtën “për të marrë hapa të njëanshëm kundër forcave kurde brenda Sirisë, pa marrë parasysh pëlqimin e vendeve të tjera (Amerikës).”

***

Takimi, i cili u mbajt në Shtëpinë e Bardhë mes presidentëve Trump dhe Erdogan, ishte i tensionuar dhe konfrontues, sipas shumicës së raporteve të lajmeve; dhe gjithçka që u tha në konferencën për shtyp rreth “partneritetit strategjik” dhe forcimit të “marrëdhënieve speciale” mes dy vendeve ishte vetëm për konsum mediatik. Injorimi i çështjes së dorëzimit të predikuesit turk Fethullah Gylen – të akuzuar se ka qenë pas grushtit të fundit ushtarak, e cila ishte edhe një nga kërkesat më të spikatura të presidentit Erdogan – tregon shumë.

Ky tensionim u reflektua në mënyrë të qartë nga rojet e presidentit Erdogan kur sulmuan një grup protestuesish jashtë shtëpisë së ambasadorit turk në Uashington duke plagosur nëntë prej tyre. Kjo gjë shkaktoi një valë zemërimi dhe e shtyu senatorin John McCain, një nga miqtë kryesorë të Turqisë në Senat, të kërkojë dëbimin e ambasadorit turk nga Uashingtoni, si dhe theksimin nga zëdhënësja amerikane znj. Heather Nauert, se qeveria e saj në mënyrë të ashpër ka informuar Ankaranë për shqetësimin në lidhje me aktet e rojeve diplomatike dhe përdorimin e dhunës kundër protestuesve, duke thënë se “dhuna nuk është përgjigjja e duhur kundër lirisë së shprehjes dhe ne e mbështesim të drejtën e popujve kudo në ushtrimin e kësaj lirie dhe protestës paqësore”.

Kurdo që Amerika ka ndërhyrë ushtarakisht në ndonjë vend arab apo islamik, e ka kthyer atë në një “shtet të dështuar” dhe ka shkaktuar nxitjen e konflikteve etnike, sektare dhe fisnore në të. Duket se pas përfundimit të çrrënjosjes së “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak do t’i vijë radha Turqisë dhe kurdët janë lojtarët e rinj, pasi ç’të korrësh do të mbjellësh.

Është e vërtetë se administrata e Trumpit i premtoi mysafirit të saj turk që armët të cilat u janë dhënë dhe po u jepen Forcave të Sirisë Demokratike (SDF apo QSD) të mos përdoren kundër Turqisë, ashtu siç i premtoi për mosformimin e një entiteti kurd në veri të Sirisë. Por përvojat e kaluara, dhe në mënyrë specifike në Irak, kanë vërtetuar mosmbajtjen e zotimeve të tilla nga amerikanët. Ja, entiteti kurd në Irakun verior është në prag të referendumit për pavarësi si një prelud për shpalljen e saj. Ja edhe armët dhe stërvitjet amerikane tek shndërrojnë forcat militare Peshmerga në një ushtri të fortë. Nuk ka ndodhur kurrë që Amerika të rikthejë armët me të cilat furnizon milicitë aleate kudo në botë, duke filluar nga “Contras” në Amerikën e Jugut dhe duke përfunduar me Peshmerga-t në veri të Irakut.

***

Administrata amerikane po heq dorë gradualisht, dhe në një mënyrë poshtëruese, nga Turqia si një aleat strategjik në rajon. Ajo dhe aleatët e saj evropianë tani janë duke kërkuar për alternativa ndaj saj dhe ndaj bazës ajrore Incirlik, që do të thotë se ditët e saj – pra të Turqisë – në aleancën e NATO-s ndoshta janë të numëruara. Gjithashtu, ndoshta mund të thuhet e njëjta për sundimin e presidentit Erdogan dhe partisë së tij.

Amerika e përdori kartën kurde në mënyrë efektive për shterjen e Irakut dhe dobësimin e tij për disa dekada dhe nuk e përjashtojmë mundësinë që të përdoret e njëjta kartë për të shantazhuar Turqinë dhe për ta dobësuar atë si një prelud për të copëtuar një superfuqi islame si ajo në rajon.

Presidenti Erdogan, i cili më parë akuzoi fqinjët e tij arabë si të mefshtë dhe u radhit syhapur në krahë të planeve amerikane dhe “kaosit të tyre kreativ” në rajon, duke lehtësuar me zgjuarsi hapat e ekzekutimit të tyre, ndoshta e njëjta akuzë mund të aplikohet edhe për të, gjithashtu.

Nuk besojmë se koha është tepër vonë për të që të tërhiqet, për të shpëtuar veten dhe vendin e tij nga skema e copëzimit amerikan. Por, a do ta ndërmarrë ai këtë hap? Kjo është një nga dëshirat tona më të spikatura, edhe pse dyshojmë, përkundër të gjitha atyre që janë thënë e thuhen në lidhje me “pragmatizmin” e tij dhe aftësinë e tij për të ndryshuar shpejt qëndrimet. Shpresojmë që dyshimet tona të jenë të gabuara…

⃰ Opinion i kreut të redaksisë së gazetës elektronike “Ra’jul Jeum”, i datës 18 maj 2017./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne