Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Sami Kurteshi kanë dalë para mediave për të folur rreth rastit të aktivistëve të kësaj lëvizjeje dhe akuzave që u janë bërë për terrorizëm.

“Më shumë se një vit më parë u arrestuan gjashtë aktivistë tanë për sulmin ndaj kuvendit, atyre ju mvesh vepra më e rëndë ajo e terrorizimit”.

“Asnjë prej tyre nuk e kreu atë sulm, por tendenca ka qenë të Vetëvendosje të shpallet terroriste”, ka thënë Haxhiu, njofton Klan Kosova.

“Shteti edhe një herë tregoi se veproi nga ata që e kanë kapur. Një aktivist i yni edhe vdiq, të tjerët u quajtën terroristë e gjithçka tjetër”.

“Është vërtetuar edhe nga forenzika që të dhënat nuk përputhen me ato të aktivistëve tanë. Si dhe raporti i FBI që thotë se nuk ka asnjë lidhshmëri mes aktivistëve dhe vendngjarjeve”, ka thënë Haxhiu ndër të tjera.

Ajo ka vazhduar të thotë se ky rast ka qenë i montuar ndaj aktivistëve të tyre.

“U desh një vit e gjysmë që edhe prokurori i rastit pranoi se nuk ka prova. Nuk ka asnjë motiv që ky proces të vijojë dhe kjo farsë duhet të ndalet këtu”.

“Kërkojmë liri të plotë për aktivistët tanë dhe kërkojmë drejtësi për aktivistin tonë Astrit Dehari që me 5 nëntor bëhet një vit prej kur ka vdekur”, është shprehur ajo ndër të tjera.

Deputeti Kurteshi, ka thënë se e gjithë ajo që ka rrjedhur një vit e gjysmë ka qenë një sulm i inskenuar ku janë akuzuar aktivistët e tyre dhe direkt Lëvizja Vetëvendosje.

“Provat nga policia, dëshmitarët, analizat, vërtetojnë atë që LVV vazhdimisht ka deklaruar pafajësinë e aktivistëve të vetë”.

“Pasoja tragjike e krejt këtij inskenimi ka ngjarë me 5 nëntor kur në qendrën e paraburgimit ka vdekur në rrethana të dyshimta aktivisti, Astrit Dehari. Deklarimet kontradiktore nga prokuroria, shërbimi korrektues, policia dhe Ministria e Drejtësisë, jo vetëm ne por edhe familjen e kanë vënë në situatë të rëndë dhe dyshimet vetëm janë shtuar”, është shprehur ai.

Ai ka thënë më tej se problem është edhe marrja në dorë e rastit Dehari nga kryeprokurori Sylë Hoxha.

“Ai njihet se është vendosur aty me telefon nga ‘klani Pronto’. Ai ka qenë njeri i përshtatur ta dezinformojë opinionin publik”.

“Ne si Vetëvendosje kërkojmë që këtij rasti t’i shkohet deri në fund me të gjitha mënyrat ligjore dhe demokratike. Të kapen njerëzit që kanë kryer sulmin dhe ata që kanë inskenuar këtë rast”, është shprehur ai ndër të tjera. /Klan Kosova/

7