Zarif: Nuk ka asnjë ndalesë për pasurimin e uraniumit nga Irani

“Sipas Traktatit mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) dhe rezolutës nr. 2231 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk ka asnjë ndalesë për pasurimin e uraniumit nga Irani; as tani dhe as në vitin 2025 ose më tej. Mund të jetë e dobishme për partnerët evropianë që të lexojnë dokumentin, të cilin e kanë nënshkruar dhe janë zotuar të mbrojnë”, shkroi Zarif në rrjetin social “Twitter”, një postim në adresë të 3 partnerëve evropianë të marrëveshjes bërthamore me Iranin.

Të shtunën, ambasadori i Francës në Uashington, Gerard Araud, tha përmes së njëjtës platforme sociale se “është e gabuar të pretendosh që Irani rezervon të drejtën e pasurimit të uraniumit pas marrëveshjes bërthamore”; postim të cilin u detyrua ta fshijë një ditë më vonë pas reagimeve të autoriteteve iraniane.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, urdhëroi më datë 9 prill instalimin e 20 centrifugave të zhvilluara, tip “IR6”, në impiantin e energjisë bërthamore në Natanz.

“Ne po bëjmë durim, por edhe durimi ynë e ka një kufi. Durimi ynë nuk vjen nga dobësia, por si masë për të ardhmen e rajonit. Irani mund të ndërmarrë edhe një tjetër hap për këtë çështje. Nëse na detyroni, ne mund të fillojmë prodhimin në seri të centrifugave ‘IR8’ me teknologji të lartë”, qe shprehur ai.

Sipas marrëveshjes bërthamore, e cila njihet zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, firmosur me Iranin në vitin 2015 nga 5 anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina, Franca, Rusia) dhe Gjermania, Teherani do të reduktonte në 5.060 numrin e centrifugave që përdorte për pasurimin e uraniumit, nga 19.000 që kishte asokohe, si dhe do ta ruante këtë nivel për 10 vite me radhë.

Irani ndër të tjera kishte pranuar edhe një moratorium prej 15 vitesh në pasurimin e uraniumit sipër nivelit 3,67%, kufizimin e pasurimit të uraniumit vetëm në impiantin bërthamor në Natanz duke ndërprerë plotësisht pasurimin e uraniumit në Frodo.

Shtetet nënshkruese të marrëveshjes në fjalë shprehin shqetësim se Irani mund të posedojë uranium të pasuruar në nivel të mjaftueshëm për të prodhuar bombë atomike duke zhvilluar aktivitetin e tij bërthamor./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne