A do ta pranonit një mysliman dhe një hebre në familjen apo lagjen tuaj? Një studim i fundit sjell përgjigjet e evropianëve në Lindje, Qendër dhe Perëndim!

Perdja e hekurt që dikur ndante Evropën mund të jetë zhdukur, por kontinenti sot është i ndarë nga dallimet e mëdha në qëndrimet e publikut ndaj fesë, pakicave dhe çështjeve sociale si martest dhe aborti ligjor.

Kjo pasi që, krahasuar me evropianët perëndimorë, më pak evropianë të Evropës Qendrore dhe Lindore do të mirëprisnin myslimanët ose hebrenjtë në familjet ose lagjet e tyre, do të pranonin të drejtën e martesës me çifte homoseksualë apo lezbike ose do të zgjerojnë definicionin e identitetit kombëtar, duke përfshirë edhe njerëzit e lindur jashtë vendit të tyre.

Këto dallime dalin nga një sondazh i kryer nga Qendra Kërkimore Pew, midis viteve 2015 dhe 2017 midis gati 56,000 të rriturve (mosha 18 vjeç e lart) në 34 shtete të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore.

Madje, siç thuhet në këtë sondazh, ndarja kontinentale në qëndrime dhe vlera mund të jetë ekstreme në disa raste.

Për shembull, në pothuajse çdo vend të Evropës Qendrore dhe Lindore të anketuar, më pak se gjysma e të rriturve thonë se do të ishin të gatshëm të pranonin myslimanët në familjen e tyre; në gati çdo vend të Evropës Perëndimore të anketuar, më shumë se gjysma thonë se do të pranonin një mysliman në familjen e tyre. Një ndarje e ngjashme shfaqet midis Evropës Qendrore / Lindore dhe Evropës Perëndimore edhe në lidhje me pranimin e hebrenjve në familjen e vet.

Në një pyetje të veçantë, evropianët perëndimorë gjithashtu kanë më shumë gjasa nga homologët e tyre të Evropës Qendrore dhe Lindore të thonë se do të pranonin myslimanët në lagjet e tyre.

Për shembull, rreth 80% e finlandezëve thonë se do të jenë të gatshëm të pranojnë myslimanët si fqinjë, krahasuar me rreth 25% e ukrainasve.

Edhe pse ndarja është më pak e zymtë, evropianët perëndimorë gjithashtu kanë më shumë gjasa të shprehin pranimin ndaj hebrenjve në lagjet e tyre.

Po sipas sondazhit në fjalë, përcjell Telegrafi, qëndrimet ndaj pakicave fetare në rajon shkojnë krah për krah me konceptet e ndryshme të identitetit kombëtar.

Kur ato ishin në sferën e ndikimit të Bashkimit Sovjetik, shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore e mbajtën zyrtarisht fenë jashtë jetës publike.

Por sot, për shumicën e njerëzve që jetojnë në bllokun ish-lindor, të qenit i krishterë (qoftë katolik apo ortodoks) është një komponent i rëndësishëm i identitetit të tyre kombëtar.

Në Evropën Perëndimore, nga ana tjetër, shumica e njerëzve nuk e ndiejnë se feja është një pjesë e madhe e identitetit të tyre kombëtar.

Për të qenë të sigurt, jo çdo vend në Evropë pozicionohet në këtë model.

Për shembull, në shtetet baltike të Letonisë dhe Estonisë, shumica dërrmuese e njerëzve thonë se janë të krishterë (në mënyrë specifike luterane) dhe se kjo nuk është e rëndësishme për identitetin e tyre kombëtar.

Megjithatë, relativisht pak prej tyre shprehin gatishmërinë për të pranuar myslimanët si anëtarë të familjes ose si fqinjë.

Por një model i përgjithshëm Lindje-Perëndim është gjithashtu i dukshëm në të paktën një masë tjetër nacionalizmi: shovinizmi kulturor.

Ndërsa ekzistojnë përjashtime, evropianët e Evropës Qendrore dhe Lindore në përgjithësi janë më të prirur të thonë se kultura e tyre është superiore.

Tetë vendet ku ky qëndrim është më i përhapur janë të gjithë gjeografikisht në Lindje: Greqia, Gjeorgjia, Armenia, Bullgaria, Rusia, Bosnja, Rumania dhe Serbia.

Së bashku, këto dhe pyetje të tjera rreth identitetit kombëtar, pakicave fetare dhe superioritetit kulturor duket se tregojnë një ndarje evropiane, me nivele të larta të nacionalizmit fetar në Lindje dhe më shumë hapje drejt multikulturalizmit në Perëndim.

Gjithashtu, sipas sondazhit në fjalë, pyetjet e tjera të bëra në anketim tregojnë për një “boshllëk vlerash” të Lindjes-Perëndimit në lidhje me çështjet kyçe sociale, si martesa e të njëjtit seks dhe aborti ligjor.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne