A i ka votat PS për ndryshimet në Kodin Penal? Balla: Si u rrezikuan jetët e qytetarëve në Elbasan, do të ndëshkohen të papërgjegjshmit

Kreu i Grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla ka pasur sot një lidhje me skype me Fax news, ku mes të tjerave është diskutuar mbi propozimet për ndryshimin e Kodit Penal, ku parashikohet burg për të gjithë ata që shkelin rregullat gjatë situatës së pandemisë.

Balla u ndal fillimisht te momentet e vështira që po kalon vendi, dhe përshëndeti solidaritetin që kanë treguar sipas tij shqiptarët në këto ditë me njëri tjetrin.

“Katër momente të rëndësishme të besimeve fetare, kanë përkuar me këtë situatë aspak të zakonshme, këto kanë qenë ditë të vështira për të gjithë shqiptarët, mesazhi i Pashkës i drejtohet pikësëpari familjeve. Sot familjet shqiptare janë më të bashkuara se kurrë, nën familjen e madhe që është vetë Shqipëria.

Shqiptarët kanë treguar një solidaritet për tu mbajtur mend, ne ishim një nga vendet e para që morëm masa drastike, pasi jetët e njerëzve nuk mund të kthehen më mbrapsht, Masat e marra nga qeveria janë mbështetur gjerësisht nga qytetarët”, tha Balla.

Lidhur me punën e deputetëve, Balla tha se Kuvendi në asnjë moment nuk e ka ndalur aktivitetin e tij, ndërsa shtoi se në seancën që do të mbahet këtë të enjte, do të ketë dhe një rishikim të buxhetit të vitit të ardhshëm.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka ndërprerë për asnjë çast punën e tij, pavarësisht distancimit fizik, do të miratohen të enjten të gjitha aktet normative që pasojnë këtë situatë. Do të ketë një rishikim të Buxhetit, që hedh poshtë baltën që hedhin partitë, pa lexuar ende aktin e ndërmarrë nga ana e qeverisë, se nuk ka para mjaftueshëm për mjekët dhe infermierët.

Ne nuk duhet të harrojmë në asnjë moment, që për ne viti 2020 ka filluar dhe do të mbetet i rëndësishëm edhe sa i takon procesit të rindërtimit, në këtë kontekst Kuvendi i Shqipërisë, pas punës të shkëlqyer të qeverisë për të garantuar fonde në Konferencën e Donatorëve, do të nënshkruajë këto marrëveshje që do të ndihmojnë njerëzit që jetojnë ende në çadra.

Dua të qetësoj të gjithë shpirtrat e qytetarëve që jetojnë në çadra, që Krishtlindjet e këtij viti do ti gjejnë në shtëpitë e tyre”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, tha më tej se ashpërsimet në Kodin Penal nuk synojnë ndëshkimin e qytetarëve, por parandalimin e krimeve të qëllimshme, që mund të kryejnë individë të papërgjegjshëm.

“Duhet që të kuptojmë se cili ka qenë qëllimi i mirë në këto masa shtrënguese që janë propozuar, që në ditët e para ne vendosëm masa administrative, që kanë dhënë efekt, pasi shumë prej qytetarëve i kanë respektuar ato, por hetimet epidemiologjike kanë treguar se në disa raste masat e vendosura nuk janë zbatuar.

Televizioni juaj e ka dëshmuar ditë pas dite situatën në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë e ushtrimit të një aktiviteti të paligjshëm, u rrezikuan disa jetë njerëzore të qytetarëve. Pak kohë më parë u publikua videoja e një personi që ndoti me qellim trenin në Bruksel, një gjë që mund të ndodhë dhe në vendin tonë, por që në Kodin Penal, një krim i tillë nuk reflektohet, dhe klasifikohet si vepër penale.  

Ka disa njerëz të papërgjegjshëm që nuk e kuptojnë ende se kjo është një luftë botërore, unë po lexoja sot një intervistë të ministrit të jashtëm gjerman, i cili thoshte se të gjitha moshat mbi 70 vjeç, duhet ta vazhdojnë karantinimin për një periudhë më të gjatë se pjesa tjetër e shoqërisë.

Kur lokomotiva e ekonomisë dhe zhvillimit europian, nuk e di se si mund të dalim nga kjo situatë, është e pashmangshme që ne të mos i mbajmë masat dhe për një periudhë më të gjatë”, tha deputeti socialist.

Duke u ndalur te sektorët ekonomike që vazhdojnë ende aktiovitetin, Balla iu bëri thirrje shqiptarëve që të blejnë sa më shumë prodhime ”made in albania”.

“Dua ti bëj thirrje çdo familje shqiptare, që bën shpezat e përditshme, që të blejë mallrat made in albania, që janë produkte shumë të mira dhe të një cilësie të lartë.

Mallrat shqiptare mbeten shumë cilësore, dhe një pjesë e mirë e tyre eksportohen, kjo është një arsye më shumë për të besuar te cilësia e tyre, dhe për ti konsumuar”, tha Balla.

Duke iu referuar masave të marrë në shtete të tjera, Balla tha se Shqipëria veproi shumë shpejt, dhe kjo solli një numër shumë të ulër viktimash dhe të prekurish, në krahasim me parashikimet e bëra fillimisht nga ekspertët.

“Në Rumani për shembull, të cilën unë e ndjek dhe për arsye se kam kryer shkollimin tim, masat nuk qenë të ashpra, dhe tani ka një numër shumë të madh qytetarësh. Duhet të kuptojmë se ashpërsimi i Kodit Penal, synon që të ndëshkojë të gjithë ata persona, që kryejnë veprime me dashje. Nëse ti e di mirë që je i prekur, nëse ke lëvizur jashtë Shqipërisë, dhe këtë nuk e tregon, kjo është padyshim një vepër penale.

Masat e marra në kohë, kanë bërë që kurba jonë e infektimeve të ndryshojë shumë nga vendet e tjera. Padyshim që kemi pasur jetë të humbura, dhe për këtë dua të ngushëlloj të gjitha familjet që kanë humbur familjarët e tyre. Po ashtu dua ti uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë personave të prekur nga koronavirusi, dje kam komunikuar me kolegun tim Adriatik Alimadhi, të cilit i kam uruar gjithashtu shërim sa më të shpejtë”, deklaroi Balla.

I pyetur nga gazetarja Samena Hasaj, nëse PS i ka votat për ndryshimet në Kodin Penal, që kërkojnë shumicë të cilësuar, Balla tha se besonte se një situatë e jashtëzakonshme, nuk do kishte ndasi politike, përpara mbrojtjes së jetës së qytetarëve.

“Unë nuk shoh dallime politike lidhur me një përgjegjësi që duhet të ushtrojë Kuvendi në një gjendje të fatkeqësisë natyrore. Ka disa të pabindur të papërgjegjshëm që duhet të ndëshkohen me masa penale, besoj se dhe në vendin tonë askush nuk do të mundohet që të bëjë politikë me jetën e njerëzve. Ne nuk jemi në një situatë normale, kjo na bën që të rrisim mburojën për të mbrojtur jetën e njerëzve, me çfarëdo lloj çmimi”, u shpreh socialisti.

Ndërkohë që lidhur me dekretet e presidentit që pritet të rrëzohen në Kuvend, Balla tha se vërejtjet e kreut të shtetit për ligjin e pronave, nuk qendrojnë.

“Unë nuk do të doja të bëja politikë në një moment të tillë, përfshirë dhe me institucionin e presidentit. Kuvendi i ka shqyrtuar me shumë vëmendje dekretit e presidentit të Republikës, dhe ka konstatuar se një pjesë e mirë e tyre nuk qendrojnë.

Ligji për pronat është punuar prej 15 muajsh në Kuvend, dhe është një nga ligjet për të cilat është punuar më së shumti, dhe është marrë mendim dhe nga ekspertët e Komisionit të Venecias. Janë më shumë se 200 mijë familje që jetojnë në fshat dhe ende nuk i kanë tapitë pas 30 vitesh.

Janë mijëra familje shqiptare që mezor presin që ky ligj të hyjë në fuqi, që të mos ketë më banesa pa legalizim”, tha më tej deputeti./faxnews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne