Aksidenti me dy të vdekur në Tiranë, ekspertët: Fajtorë janë të dy shoferët

Ekspertët rrugorë shprehen se aksidenti automobilistik që u mori jetën dy personave që po ecnin në trotuar në rrugën “Xhanfize Keko”, është shkaktuar si pasojë e shkeljeve të qarkullimit rrugor nga ana e dy drejtuesve të automjeteve. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se drejtuesit e automjeteve nuk kishin konsumuar alkool, ndërsa shkak dyshohet të jetë bërë parakalimi i gabuar dhe shpejtësia e lartë.

Viktima të aksidentit mbetën Erion Balla, 36 vjeç, dhe Hidajete Salliu, 72 vjeçe, të cilët gjetën vdekjen nga përplasja e dy automjeteve, teksa po ecnin në këtë trotuar. Një ditë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ku humbën jetën dy personat, janë vendosur lule nga familjarët.

Për ekspertin rrugor, Gëzim Hoxha, aksidenti vjen si pasojë e shkeljeve të qarkullimit rrugor.

“Janë ekspresivë, të shpejtë dhe pak të nxituar në qarkullim. Hoxha shprehet se kryqëzimi është në parametrat e duhur, teksa thekson se të dy drejtuesit e automjeteve kanë shkelur rregullat e qarkullimit. Drejtuesi i mjetit që vinte nga larg dhe donte të bënte manovër për t’u kthyer majtas, duhej të afroheshe në vijën ndarëse të rrugës, të bënte ndalimin e plotë, të kontrollonte me pasqyra rrugën prapa dhe pastaj të bënte manovër për t’u kthyer. Po ashtu drejtuesi i automjetit tjetër i cili është futur në parakalim nuk duhet të ishte futur në parakalim sepse këtu kemi të bëjmë me një kryqëzim rruge”, thotë ai.

Të pyetur nga hetuesit, dy shoferët kanë pohuar se nuk mbajnë mend si ndodhi aksidenti, ndërsa njëri prej tyre, Etjon Lazri, është shprehur se nuk ka mundur të frenojë kur ka parë se automjeti tjetër ishte në kthesë./ Ora News

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne