Aktakuzat/ Kryeministri Rama viziton sot Kosovën, ja me kë do të takohet

Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Kosovë për një sërë takimesh pas aktakuzave të Tribunalit të Hagës ndaj Thacit e Veselit.

Mediat kosovare raportojnë se Rama do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Thaçi dhe me kreun e PDK, Kadri Veselin. Po ashtu do të ketë takime edhe me Vjosa Osmanin apo dhe me liderët e partive të tjera.

Prej publikimit të aktakuzave, Rama i doli menjëherë në krah Thaçit e Veselit duke i cilësuar si heronjë të Kosovës, kurse Serbinë si xhelatin e luftës së vitit 1999.

Kjo vizitë vjen fill pas asaj të Thaçit në fundjavë, i cili pasi u publikua aktakuza fluturoi drejt Rinasit në Shqipëri. Nga ana tjetër pritet të shihet nëse Rama do të takohet me Ramush Haradinajn apo me Albin Kurtin, me të parin që e ka paditur për shpifje për ‘shkëmbimin e territoreve’, kurse me të dytin një ‘luftë të ftohtë’ që filloi me deklaratën e Kurtit në Tiranë për ‘Makroshengenin shqiptar’.

Ndërkohë publikimi i aktakuzave ka bërë që të anulohet edhe takimi i Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Grenell, për të hapur siparin e rifillimit të dialogut Kosovë- Serbi. Takimi duhet të ndodhte dy ditë më parë, por në fillim Thaçi, pastaj Hoti anuluan pjesëmarrjen dhe si përfundim Grenell shtyu takimin.

Sot Thaçi i drejtohet popullit të Kosovës për herë të parë pas publikimit të aktakuzës. Pritet të shihet nëse do ketë një vendim për dorëheqje nga ana e tij si Presidenti i Kosovës, ashtu siç bëri Ramush Haradinaj në të njëjtën situatë një vit më parë si kryeministër apo jo./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne