Al-Thani takon Trumpin: SHBA-ja dhe Katari janë partnerë, aleatë dhe miq

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Emiri i Katarit, Sheiku Tamim bin Hamad al-Thani, përcollën të hënën një mesazh të rëndësishëm për bashkëpunim.

Lideri amerikan tha se Katari është një aleat shumë i rëndësishëm për vendin e tij.

Emiri i Katarit mbërriti të hënën për një vizitë zyrtare në Uashington, ku sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, organizoi një darkë me pjesëmarrjen e delegacioneve të drejtuara nga Trumpi dhe Al-Thani.

Gjatë darkës, Trumpi vlerësoi autoritetet e Katarit për investimet në SHBA dhe shprehu kënaqësi duke njoftuar se (në SHBA) do të vinin edhe disa investime të tjera të mëdha.

“Unë e di që gjithçka do të jetë pozitive në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Ju jeni një aleat shumë i çmuar dhe na keni ndihmuar shumë për ngritjen e një baze të madhe dhe një aeroporti ushtarak”, tha Trumpi duke iu drejtuar Al-Thanit, me të cilin bëri me dije do të takohet kokë më kokë në Shtëpinë e Bardhë gjatë ditës së martë.

Sheiku Al-Thani gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet dhe larminë e fushave të bashkëpunimit Katar-SHBA.

“Vizita ime konfirmon edhe një tjetër herë këto ideale që ne ndajmë së bashku. Sot ne festojmë këtu partneritetin tonë të fuqishëm ekonomik”, deklaroi ai.

Megjithatë fjalët që spikatën më tepër nga deklarata e emirit kataras ishte të tjera.

“Fatkeqësisht, në rajonin tonë ka nga ata që nuk i ndajnë këto opinione tonat. Në botën e sotme marrëdhëniet aleate ndërtohen me partneritete të caktuara dhe disa aleatë të caktuar nuk janë miq të vërtetë. Por SHBA-ja dhe Katari janë partnerë, aleatë dhe miq”, u shpreh Al-Thani.

Bisedimet që dy liderët do të mbajnë sot (9 korrik) kokë më kokë dhe ndërmjet delegacioneve në Shtëpinë e Bardhë, pritet të fokusohen veçanërisht mbi marrëdhëniet tregtare dhe ushtarake ndërmjet dy vendeve, si dhe mbi sigurinë rajonale./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne