Albin Kurti: Erdhi ora! Të largojmë Edi Ramën e Hashim Thaçin me protesta

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka zhvilluar sot një takim me një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave Sociale në Tiranë. Duke folur për situatën ku ndodhet Kosova dhe Shqipëria, Kurti u shpreh se ka ardhur ora për të larguar Edi Ramën dhe Hashim Thaçin.

Kreu i Vetëvendosjes e cilësoi të gabuar dhe anti-kombëtare idenë e shkëmbimit të territoreve. Kreu i VV-së akuzoi sërish Presidentin Thaçi se po shet Kosovën tek Serbia. “Serbia është e interesuar që ta ndajë Kosovën që të vijojë duke ndarë Bosnjën, ajo synon që të realizojë Serbinë e Madhe përmes ndarjes së fqinjëve. Kosova nuk ka as 5% serbë, ndërsa Serbia ka 20% pakica, por për Serbinë nuk flitet, por vetëm që të ndahet Kosova”,- u shpreh kreu i Vetëvendosjes.

Duke e cilësuar të papranueshme copëtimin e Kosovës, Thaçi dekloi se ka ardhur koha që liderët që bëjnë pazare të largohen. “E gjitha filloi në mesin e 2018 kur Thaçi paralajmëroi kompromis të dhimbshëm. Korrigjimi nëse është korrigjim i një gabimi duhet të na kënaqë jo të na dhembë, atëherë çfarë korrigjimi është ky? Ka pasur bisedime sekrete me Vuçiç për të ndarë Kosovën, duke e maskuar si shkëmbim territorial, apo integrimin në BE apo OKB, si karrem për të futur edhe Serbinë në lojë. Kosova ka të drejtë të bashkohet me Shqipërinë, por jo duke u tkurrur. Kjo është e papranueshme, e padrejtë dhe anti-kombëtare. Ka ardhur koha për një pranverë shqiptare edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, pasi edhe kemi mbetur në fund të vendeve europiane edhe po shtohet rreziqet nga fqinjët grabitqarë, prandaj duhet të kemi një rikthim te populli, pasi institucionet nuk janë në nivelin që na kërkon realiteti”,- deklaroi Albin Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes mbështeti protestat e studentëve në Tiranë duke e cilësuar ato si të drejta dhe reagim normal të të rinjve që nuk pranojnë një shtet dhe arsim monopolesh.

“Protesta e studentëve është protestë kundër privilegjeve që ekzistojnë për biznesmenët. Studentët kanë reaguar ndaj padrejtësive në arsim. Politika te ne është arti i keq, në Shqipëri është monopolizuar gjithçka, dhe humori. Studentët nuk janë e ardhmja, rinia është e tashmja jonë’, u shpreh Albin Kurti për media.

Sipas Kurtit qëndresa që po bëjnë studentët dhe nga sot po ashtu dhe pedagogët, do të çojë në një fitore. “Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse çdo herë dhe çdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë’, deklaroi nga Tirana kreu i Vetëvendosjes”,- tha Albin Kurti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne