Shqiperia

Ambasada Ruse nën mbikëqyrjen e agjentëve anti-terror

Ambasadori Aleksander Karpushin ka marrë takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme për kërcënimin e pretenduar nga një grup ekstremistësh islamikë nga Kosova dhe Maqedonia.
Ky lajm konfirmohet nga burime diplomatike si dhe mësohet e gjithë dinamika e shqetësimit te diplomatit të larte rus.

Ashtu si Vizion Plus publikoi një ditë me parë, sot burime diplomatike sqaruan se ambasadori Karpushin është takuar me drejtorin e përgjithshëm të politikave dhe çështjeve të sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ky takim është zhvilluar pak përpara festës së Pashkëve.

Menjëherë pas këtij takimi, Vizion Plus ka mësuar se selia e ambasadës së Rusisë në qendër të Tiranës është vënë ne mbikëqyrje te agjenteve te anti-terrorit, në një sipërfaqe prej 20 mije metrash katrore.

Autoritetet shqiptare kane reaguar duke rritur nivelin e sigurisë, pasi ambasadori Karpushin kishte kërkuar mbërritjen nga Rusia të shume agjentëve te specializuar, për t’iu bashkuar truprojave te tij personale.

Ndërkohë është zbardhur edhe biseda mes diplomatit rus dhe drejtorit të lartë të ministrisë së jashtme.

Pas prezantimit të shqetësimit nga Karpushin për një sulm terrorist, drejtori i përgjithshëm i politikave dhe çështjeve te sigurisë në Ministrinë e Jashtme i ka kërkuar diplomatit më shumë detaje: Emrat e kërcënuesve, vendndodhjen e tyre dhe çdo informacion tjetër që do të neutralizonte rrezikun.

Drejtori i ka sugjeruar gjithashtu ambasadorit që të kontaktonte me Ministrinë e Brendshme, ndërsa e siguroi se i gjithë shqetësimi i tij do ti përcillej strukturave dhe agjencive të sigurisë së shtetit shqiptar.

Zyrtari i lartë i ministrisë së jashtme insistoi në takim se do të ishte shumë e vlefshme nëse do të kishte më shumë informacion nga ambasada ruse, për grupin e dyshuar të kërcënimit.

Por ambasadori Karpushin sërish nuk ka dhënë hollësi.

Ai ka këmbëngulur të mbërritjen në Tiranë të një grupi te konsiderueshëm ekspertësh të inteligjencës për ti bërë ballë kërcënimit të pretenduar.

Burimet diplomatike i pohuan Vizion Plus, se megjithë këtë shqetësim të madh, ambasada ruse nuk ka dërguar asnjë letër – kërkesë zyrtare për shtimin e personelit të saj me njerëz të sigurisë.

Insistimi për të sjellë njerëz te inteligjencës ruse nga Moska, nuk dihet se sa baze reale ka. Por ajo qe dihet me siguri është se kërkesa për shtim personeli, vjen ne një kohe kur Shqipëria ndodhet ne prag te zgjedhjeve dhe ndarja mes palëve politike për to është e madhe.

OPINIONE

INTERVISTA