Ambasadorja e Kroacisë infektohet me koronavirus, futet në karantinë dhe anulon mbledhjen e ambasadorëve të BE-së

Ambasadorja e Kroacisë në Bashkimin Europian, Irena Andrassy është futur në karantinë, pasi sipas informacioneve paraprake dyshohet se ka rezultuar pozitive me koronavirus. “Politico.eu” shkruan se takimi i ambasadorëve të BE-së që ishte vendosur të mbahej sot dhe do të merrte pjesë edhe Andrassy, është anuluar.

Arsyeja e këtij anulimi mësohet të jetë bërë pikërisht futja në karantinë e ambasadores.

“Andrassy do të kryesonte takimin urgjent mbi shpërthimin e koronavirusit, pasi Kroacia mban presidencën e radhës të Këshillit. Kur u pyetën nëse ambasadorja do ta kryesojë takimin, zëdhënësja e Coreper II i Kroacisë Goranka Primc i tha: ‘Ne tani po presim. Ne nuk e dimë’,”-shkruan Politico.eu.

Rasti i parë brenda Këshillit u raportua të mërkurën, para dy ditësh, e njëjta media shkruante se një prej kolegëve kishte rezultuar pozitiv.

Ky person, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, kishte zhvilluar një takim me Andrassy dhe delegatët e tjerë të jashtëm.

Globalisht, autoritetet kanë konfirmuar mbi 92,000 raste të prekura me koronavirus. Shumica e tyre – mbi 80,000 – janë në Kinë, vendin e origjinës së koronavirusit. Në të gjithë botën, mbi 3,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19.

Në SHBA, numri i të vdekurve aktualisht është 12, ndërsa të infektuar janë mbi 200.

Numri i viktimave në Itali ka arritur ditën e sotme në 197, ndërsa numri i të infektuarve ka shkuar në 3916.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne