Sociale

Amerikanet dekorojne ish-stalinistin Ardian Dvorani që kërkoi burg për shkodranët që rrëzuan bustin e Stalinit

Nderimi i Ardian Dvoranit si Kampion i Antikorrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit e gjen fituesin e çmimit të përjashtuar nga strukturat kyçe të drejtësisë së re. Sipas zëdhënësit të DASH, Ned Price, 12 fituesit kishin mirënjohjen e SHBA sepse kanë mbrojtur transparencën, luftuan korrupsionin dhe siguruan llogaridhënien në vendet e tyre.

Presidenti Meta, që e ka sulmuar Ardian Dvoranin me të gjithë arsenalin e mundshëm të akuzave, reagoi me një foto në rrjetet sociale të shoqëruar me mesazhin: 25 prill – Shqipëria e shqiptarëve dhe KURRË e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare.

Në të kundërt, Edi Rama nxitoi ta heroizojë. Sipas tij, Dvorani ishte goditur harbutërisht sepse “nuk iu dorëzua presionit të së Keqes”. Për Ramën, çmimi e shfajëson gjykatësin nga akuzat, duke qenë se “ky vlerësim e shkrinte krejt atë baltën e imoralitetit politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të”.

Nga Partia Demokratike nuk pati asnjë reagim, megjithëse gjatë konfliktit Presidencë- KED, Basha e ka quajtur Dvoranin simbol të korrupsionit.

Çmimi risjell edhe një herë diskutimet mbi figurën dhe rolin e Ardian Dvoranit në reformën në drejtësi dhe disa momente kontroverse në karrierën e tij.

Hetuesi i protestuesve që hodhën bustin e Stalinit në Shkodër

Adrian Dvorani shërbeu gjatë viteve të fundit të komunzimit si prokuror në Shkodër (1988- 1991). Me 13 dhjetor 1990, disa ditë pas shpalljes së pluralizmit, Dvorani kërkoi dënimin me burg të disa qytetarëve shkodranë me akuzën e rrëzimit të bustit të Stalinit dhe për këtë është akuzuar shpesh nga Partia Demokratike. Në bazë të Ligjit të Pastërtisë së Figurës apo ligji i lustracionit, Dvorani nuk duhet të ishte pjesë e sistemit gjyqësor. Pavarësisht ligjit, në shkurt 2005, shumica socialiste e zgjodhi anëtar të Gjykatës së lartë.

Qëndrimi në vendimin për videon Meta- Prifti

Ardian Dvorani ishte një nga 5 anëtarët e trupit gjykues që shpalli të pafajshëm Ilir Metën në çështjen e video- përgjimit Meta- Prifti. Pavarësisht se e kontestoi procesin, ai votoi kundër bindjes së tij dhe iu bashkua qëndrimit të 4 gjykatësve të tjerë. Qëndrimin e shprehu përmes një mendimi paralel.

“Qëndrimi im për zgjidhjen e çështjes është ai i përbashkët me gjyqtarët e tjerë për deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta, sepse nuk vërtetohet që fakti ekziston në zbatim të shkronjës ‘a’ të pikës 1 të nenit 388 të Kodit të Procedurës Penale. Ky qëndrim, sipas gjykimit dhe bindjes sime të brendshme, është e vetmja zgjidhje përfundimtare për çështjen, nisur nga ato prova, të cilat Kolegji Penal, me vendimet e ndërmjetme të marra në seancë dhe në dhomën e këshillimit, vlerësoi që t’i pranojë dhe administrojë për t’ia nënshtruar debatit gjyqësor dhe, për rrjedhojë, si provat e vetme për t’i pasur në mbështetje të vendimit përfundimtar”, pohonte gjyqtari Dvorani në mendimin e tij paralel.

Problemet me pasurinë gjatë vetingut

Në deklarimin e pasurisë para KPK, Ardian Dvorani u shfaq me dy probleme. I pari kishte të bënte me një apartament 120 metra të përfituar nga kompania shtetërore Albetelkom sha, ku ai shërbente si anëtar i Bordit Mbikqyrës të kompanisë. Midis Albtelekomit dhe Dvoranit nuk është firmosur asnjë kontratë shitje dhe asnjë kontratë kalimi pronësie. Madje sipas informacionit të hipotekës së Tiranës, Dvorani nuk është pronari formal i apartamentit, pasi nuk e ka regjistruar atë në emër të tij. Në vitin 2013, Albtelekom, tashmë i privatizuar, kishte vendosur t’ia falte Dvoranit shumën ende të papaguar me vlerë rreth 17 mijë dollarë, nga 34 mijë dollarë vlera totale e apartamentit.
Dvorani nuk dha ndonjë arsye pse Albetelom vendosi t’ja falë apartamentin.

Problemi i dytë ishte mosdeklarimi nga Dvorani dhe familjarët e tij- bashkëshortja, djali dhe prindërit- i një shume prej 9,9 milionë lekë (afërsisht 80 mijë euro) në llogaritë e tyre bankare.

Këtë mosdeklarim, Dvorani e justifikoi para komisionit të vetingut se kishte harruar të dorëzonte fletët e deklaratave. Por, edhe pasi ai i dorëzoi fletët e munguara, informacioni i përfshirë në to përmbante vetëm gjendjen e fundit të llogarive dhe jo gjithë ecurinë e tyre nga momenti i krijimit, sikurse kërkohet ligjërisht, pra deklarimin e shtesave ose pakësimeve të gjendjes së llogarive në çdo vit përkatës të periudhës së mbuluar.

Për rastin e mosdeklarimit të parave, KPK e fali dhe u shpreh se “subjekti nuk ka pasur asnjë lloj motivi dhe qëllimi për fshehje pasurie, duke reflektuar një qëndrim kritik ndaj vetes për këtë pakujdesi, si dhe duke argumentuar ndërkohë mungesën totale të fshehjes së pasurisë (likuiditetet e padeklaruara)”.

Skema e kapjes së Kushtetueses

Në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani mori përsipër të vërë në zbatim një skemë që i hiqte presidentit të drejtën për të zgjedhur mes emrave për gjykatën Kushtetuese, përmes lojës me afatet kohore.

Përmes koordinimit të afateve kohore me Parlamentin e drejtuar nga Gramoz Ruçi, u bë e mundur që kandidatja Arta Vorpsi të zgjidhej automatikisht dhe të shmangej e drejta e Ilir Metës për të bërë zgjedhjen e tij në proces.

Si pasojë e këtyre manovrave, dolën dy anëtare të Gjykatës Kushtetuese të emëruara për një karrige dhe njëra prej tyre shkoi të betohet përpara një notereje, ndërkohë që Kushtetuta kërkonte betimin në Presidencë. U desh “ngrirja” e procesit nga Meta, që e gjithë skema të zhbëhej.

Skema për kapjen e Gjykatës Kushtetuese u rrëzua edhe nga opinioni i Komisionit të Venecias. Edhe sikur Dvorani të kishte qenë i vlerësuar njëzëri nga palët politike, do të mjaftonte opinioni i Komisionit të Venecias për emërimet në Kushtetuese, për të ngritur pikëpyetje mbi meritën e tij për të marrë një çmim nga Departamenti Amerikan i Shtetit./Lapsi.al

OPINIONE