Arabia Saudite: Katari duhet të ndalojë mbështetjen e Hamasit dhe Vëllazërisë Muslimane

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir parashtron disa hapa për rivendosjen e lidhjeve me aleatët arabë.

Katari duhet të përfundojë mbështetjen e tij për grupin palestinez Hamas dhe Vëllazërinë Muslimane, përpara se lidhjet me shtetet e tjera të Gjirit Arab të mund të rivendosen, tha ministri i jashtëm i Arabisë Saudite.

Bahreini, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe thyen lidhjet diplomatike dhe lidhjet e transportit me Katarin të hënën, duke e akuzuar atë për mbështetjen e “ekstremizmit”.

Mosmarrëveshja midis Katarit dhe vendeve arabe u përshkallëzua pas një sulmi të fundit të agjensisë shtetërore të lajmeve të Katarit.

“Ne duam të shohim Katarin teksa zbaton premtimet që ka bërë disa vite më parë në lidhje me mbështetjen e grupeve ekstremiste, mediave të saj armiqësore dhe ndërhyrjes në punët e vendeve të tjera”, tha ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite Adel al-Jubeir për gazetarët në Paris.

“Askush nuk dëshiron të dëmtojë Katarin. Ai duhet të zgjedhë nëse duhet të lëvizë në një drejtim apo në një drejtim tjetër. Ne e morëm këtë hap me dhimbje të madhe në mënyrë që ata të kuptojnë se këto politika nuk janë të qëndrueshme dhe duhet të ndryshojnë”.

Jubeir shtoi se Katari po minonte Autoritetin Palestinez dhe Egjiptin duke mbështetur Hamasin dhe Vëllazërinë Muslimane.

“Ne nuk mendojmë se kjo është gjë e mirë. Katari duhet t’i ndalë këto politika në mënyrë që të kontribuojë në stabilitetin e Lindjen së Mesme”, tha ai.

Jubeir nuk pranoi të thoshte menjëherë pikërisht atë që donte që Katari të bënte, por tha se masat e marra nga shtetet arabe, duke përfshirë një bllokadë detare, tokësore dhe ajrore, do të kishin një kosto të konsiderueshme në vend.

“Ne besojmë se kuptimi dhe logjika e shëndoshë do e bindë Katarin që të ndërmarrë hapat e duhur. Vendimet që u morën ishin shumë të forta dhe do të kenë një kosto mjaft të madhe për Katarin, dhe ne nuk besojmë që Katari do të mbështesë këto kosto”, tha ai.

Hamasi, i cili udhëheq në Rripin e Gazës, tha se ishte “tronditur” nga thirrja e Arabisë Saudite ndaj Katarit për të ndaluar mbështetjen e grupit.

Vërejtjet e Jubeirit “përbëjnë një tronditje për popullin tonë palestinez dhe kombet arabe dhe islamike”, thuhet sipas një deklarate të Hamasit të lëshuar të mërkurën.

Ajo pretendoi se Izraeli “i shfrytëzon këto deklarata për të kryer më shumë shkelje ndaj popullit palestinez”.

Emiri i Kuvajtit, Sheik Sabah Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, vizitoi Arabinë Saudite të martën për të mbajtur bisedime me mbretin saudit Salman bin Abdul Aziz mbi mënyrat për të zbutur krizën në rritje.

Nuk u dhanë hollësira për bisedimet.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit ndërpreu gjithashtu lidhjet me Katarin, duke e akuzuar atë se ka punuar me armiqtë e saj në lëvizjen Houthi të lidhur me Iranin. Maldivet dhe kryeministri jashtë mandati i Libisë, Abdullah al-Thinni u bashkuan më pas me kombet arabe, duke thënë se edhe ata do të ndërprisnin lidhjet.

Të hënën, Katari shprehu habinë mbi vendimin “e pajustifikuar” për të shkurtuar lidhjet diplomatike, duke thënë se ai po “shkelte sovranitetin e tij”.

“Ishte e qartë që nga fillimi se qëllimi i fushatës mediatike dhe vendimi për të prerë marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore, si dhe për të mbyllur kufijtë është që të ushtrohet presion ndaj Katarit për të braktisur vendimin dhe sovranitetin e tij kombëtar”, thuhet në një deklaratë të Kabinetit të Katarit të hënën.

“Masat janë të pajustifikuara dhe bazohen në pretendime dhe pohime që nuk kanë bazë në fakte”, tha ministria e jashtme në një deklaratë tjetër.

“Qëllimi është i qartë … të imponojë kujdestarinë ndaj shtetit. Kjo në vetvete është një shkelje e sovranitetit [të Katarit] si shtet”.

Jubeir gjithashtu e hodhi poshtë afrimin e fundit të Katarit me Iranin, duke thënë se vendet që merren me Teheranin “e bëjnë këtë për belanë e tyre”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mbrojti Katarin, duke thënë se ai personalisht do të kishte ndërhyrë nëse akuzat se vendi mbështet “terrorizmin” do ishin të vërteta.

“Më lejoni të them në fillim se ne nuk mendojmë se sanksionet kundër Katarit janë të mira,” tha Erdogani në një fjalim në Ankara të martën.

“Turqia do të vazhdojë dhe do të zhvillojë lidhjet me Katarin, si me të gjithë miqtë tanë që na kanë mbështetur në momentet më të vështira”, shtoi ai në lidhje me grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.

“Përpjekjet për të izoluar Katarin … nuk do të zgjidhin ndonjë problem,” tha Erdogan.

Presidenti i SHBA-së Donald Tramp tha se udhëtimi i tij në Lindjen e Mesme është “tashmë duke u shpërblyer”.

Në një seri postimesh në Twitter të martën, Trampi i referohej Katarit kur thoshte se udhëheqësit e Lindjes së Mesme kanë deklaruar se “do të mbanin një qëndrim të ashpër për financimin e ekstremizmit”.

“Gjatë udhëtimit tim të fundit në Lindjen e Mesme unë deklarova se nuk mund të ketë më financim të Ideologjisë Radikale. Udhëheqësit i vunë gishtin Katarit!” Tha Trampi.

“Sa mirë të shohësh vizitën e Arabisë Saudite me Mbretin dhe me 50 vende që tashmë po shpërblehet. Ata thanë se do të merrnin një qëndrim të ashpër për financimin … e ekstremizmit, dhe të gjitha referencat po i drejtoheshin Katarit. Ndoshta ky do të jetë fillimi i fundit të tmerrit të terrorizmit!” / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne