Arritjet e rëndësishme të diplomacisë ruse

Muaji dhjetor i vitit që lamë pasë shënoi një arritje të rëndësishme të diplomacisë ruse. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së janë miratuar dy rezoluta të iniciuara nga Rusia në fushën e sigurisë së informacionit. Më 5 dhjetor me shumicën dërrmuese të votave është aprovuar rezoluta “Arritjet në sferën e informatizimit dhe telekomunikimeve në kontekstin e sigurisë ndërkombëtare”, ndërsa më datë 17 dhjetor shumica e vendeve-anëtare kanë mbështetur rezolutën “Parandalimi i përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit për qëllime kriminale”.

Me këto dy nisma Rusia ka promovuar nisjen e një debati të gjerë dhe transparent politik për t’u përballur me krimin e informacionit dhe për të gjetur mënyrat e shmangies së kësaj sfide të rrezikshme. Rezolutat ruse e kanë si objektiv formulimin e vendimeve konkrete politike për sa i përket luftës ndaj krimit kibernetik në kushtet e mungesës së instrumenteve efektive juridiko-ndërkombëtare.

Iniciativat e Rusisë kanë gjetur përkrahje të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Dhjetëra vende të ndryshme u bënë bashkautorë të rezolutave tona. Për fat të keq, kundër të dyja dokumenteve kanë votuar SHBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe aleatët e tyre, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Ky qëndrim ka demonstruar që shtetet përkatëse nuk dëshirojnë të hapin diskutimin në kuadër të OKB-së rreth luftës ndaj krimit kibernetik. Qëllimi i tyre është mbështetja e status quo-së në hapësirën ndërkombëtare të informacionit për të ruajtur pabarazinë dixhitale midis anëtarëve të ndryshëm të bashkësisë botërore.

Është domethënëse që pikërisht Rusia, pavarësisht të gjitha akuzave të ngritura ndaj saj për “agresion kibernetik”, është duke promovuar një dialog të hapur dhe konstruktiv për parandalimin e krimit kibernetik.

Rezoluta “Arritjet në sferën e informatizimit dhe telekomunikimeve në kontekstin e sigurisë ndërkombëtare” përmban disa risi historike dhe shënon një hap galopant në forcimin e sigurisë së informacionit, duke mbrojtur interesat e të gjitha vendeve në fushën dixhitale pavarësisht nga niveli i zhvillimit të tyre teknologjik. Së pari, është hartuar lista e 13 rregullave, normave dhe parimeve të sjelljes së përgjegjshme të shteteve në hapësirën e informacionit. Faktikisht, bëhet fjalë për “rregullat e qarkullimit rrugor” në sferën dixhitale, që janë të parat në histori. Së dyti, dokumenti në fjalë sugjeron demokratizimin e procesit të bisedimeve për sigurinë ndërkombëtare të informacionit (SNI) në OKB që ky proces të bëhet me të vërtetë i hapur, demokratik, gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë qëllim, në OKB për herë të parë krijohet një grup i hapur pune për çështjet e SNI-së. Kjo do të thotë që në punimet e tij mund të marrin pjesë të gjitha vendet-anëtare të OKB-së pa përjashtim, të cilat do të japin kontributin e tyre në trajtimin e temave përkatëse. Grupi do të funksionojë si organ i mirëfilltë i Asamblesë së Përgjithshme, i cili do të mund të hartojë dhe t’u rekomandojë vendeve-anëtare çfarëdo dokumentesh, deri tek projektet e marrëveshjeve ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne