Arti i të bërit muzikë nëpër kafene – dikur dhe sot

Kafenetë tona deri para 20-25 vjetësh definoheshin si sintezë e përkryer e urtësisë lindore dhe karakterit pragmatik ballkanik, ndërkaq sot si gërshetim i katrahurës “moderne” kulturore dhe shthurjes perëndimore. Kafenetë e ditëve tona janë shndërruar në qendra të rrezikshme qarkullimi, grumbullimi e komunikimi ndërnjerëzor. Kanë marrë emërtime të ndryshme si “kafiç”, “pub”, “night-club”, “dancing live music”, “oriental music bar” e çka jo tjetër. Ato nuk janë më kafene në kuptimin pozitiv të fjalës, por thjesht vendtakime të rrezikshme, ku bëhen biznese të pista, pazarllëqe të turpshme, devijime kombëtare, kulturore dhe morale

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

Të bërit muzikë në kafene, në studio a në koncert nuk është punë e lehtë dhe as e njëjtë. Derisa në studio realizohet gjithçka përmes metodës laboratorike, pra përmes incizimit, prerjes, fshirjes, ngjitjes, rregullimit, akordimit, reprodukimit, miksimit, pastaj përmes futjes së elementeve të huazuara, të gatshme, të vjedhura, të maskuara e kështu me radhë, shfaqja koncertale nënkupton prezantim muzikor “të gjallë“ të programit që është ushtruar në mënyrë individuale ose kolektive për një kohë relativisht të gjatë. Muzika e studios mund të krahasohet me ekspozitën e pikturave. Ashtu siç një piktor që realizon pikturën e tij për një periudhë të caktuar kohore, pas së cilës e paraqet para vizitorëve si fryt të paramenduar mirë, njëjtë ndodh edhe me produktin e studios muzikore. Ndërkaq, koncerti muzikor është i ngjashëm me shfaqjen dramatike skenike ose me recitimin e poezisë, aktivitete këto që zhvillohen pa përsëritje, pa kthim mbrapa, pra rrjedha që realizohen në vendin e caktuar, brenda kohës së caktuar, për një auditor të përzgjedhur, të përgatitur dhe homogjen në kuptimin e shijes artistike. Kur flasim për muzikën e kafeneve, duhet të theksojmë që ajo është më delikate, është muzikë “e gjallë“, e atypëratyshme, e hëpërhëshme, muzikë që u dedikohet shtresave të ndryshme të shoqërisë: intelektualëve dhe analfabetëve, të rinjve dhe të moshuarve, besimtarëve dhe pabesimtarëve, atdhetarëve dhe tradhtarëve, meshkujve dhe femrave, fshatarëve dhe qytetarëve, punëtorëve dhe jopunëtorëve, temperamenteve të gjallë e të plogët, tipave të çuditshëm, pra muzikë që luhet brenda një shtrese tepër heterogjene. Andaj muziktari i kafeneve ka të tjera cilësi, tjetër zemër, tjetër ndjenjë, tjetër dhunti. Ai është i shkathët, i zhdërvjelltë, por edhe besnik dhe i drejtë, sepse përmes melodisë, ritmit, këngës, ai rënkon, vajton, ngushëllon, këndon, frymëzon, shëron…  Ai është i tillë, sepse ndodhet në një vend përplot pasione, dhimbje, emocione… Ai ndodhet në panteon, nën një strehë me ata që kuptojnë, që ndjejnë, që dëgjojnë, secili sipas mënyrës së vet. Ambientet e kafeneve, historikisht, kanë qenë mjediset më të volitshme për kultivimin e vlerave muzikore tradicionale, skena ku muziktarët e përzgjedhur, duke qenë në komunikim të drejtpërdrejtë me publikun, janë vënë në sprovë përmes kërkesash të ndryshme nga thesari i muzikës folklorike, qytetare dhe asaj të përpunuar. Në këtë mënyrë ata janë aftësuar, janë kalitur, janë bërë virtuozë. Pjesa dërmuese e muziktarëve dhe këngëtarëve të njohur e me famë e kanë filluar karrierën e tyre artistike pikërisht në këto qendra të rëndësishme të jetës shoqërore dhe të krijimtarisë artistike. Të gjithë muziktarët, që kanë punuar nëpër kafene, janë krahasuar me ata që kanë mbaruar nga tre-katër fakultete. Këta “ustallarë“ kanë “diplomuar” në muzikë, në psikologji, në sociologji dhe në folkloristikë. Edhe pse nuk kanë mundur të shkruajnë punime shkencore, të lexojnë partitura muzikore, ata kanë qenë në gjendje t’u mbajnë “leksione” shumëkujt nga autoritetet e shquara të botës akademike. Sa e sa kompozitorë të njohur të romantizmit dhe të impresionizmit shkonin nëpër kafene për të dëgjuar muzikën e artistëve të pashkolluar, të atyre virtuozëve të mëdhenj, që luanin mjeshtërisht në veglat muzikore si: violinë, mandolinë, kitarë, tambure… për t’u frymëzuar me ide, motive, ngjyra tingullore dhe shprehje të reja muzikore. Sa e sa kompozitorë, si p.sh. Shuberti, Shopeni, Bramsi, Bartoku etj., kanë bërë vetë muzikë nëpër kafene, duke dashur që mes tjerash ta përjetojnë drejtpërdrejt artin e muziktarit të kafeneve, i cili jeton njëkohësisht në dy botë të ndryshme: në tokësoren (vulgaren), nëpër të cilën rrjedh përditshmëria e tij, dhe atë të lartësuarën, deri te e cila ngjitet përmes shpirtit të tij krijues, artistik, gjenial. Muziktarët dhe këngëtarët e kafeneve janë tepër dinamikë, të lëvizshëm, udhëtarë të palodhshëm që lëvizin nga një lokal në tjetrin, nga një qytet në tjetrin. Ata mund të krahasohen lirisht me shpillmanët, vagantët, skomrahët, gomijarët, pra me muzikantët dhe këngëtarët shëtitës të mesjetës, që udhëtonin nga një vend në një vend tjetër, duke e prezantuar artin e tyre poetik, muzikor, akrobatik, artin e tyre të madh popullor. Pikërisht me ata filloi një etapë e re në muzikën laike (jokishtare), një frymë e re e rilindjes kulturore…

Sipas burimeve historike, kafeneja e parë është hapur në Konstantinopol (Stambollin e sotshëm) në vitin 1475. Emri rrjedh nga fjala kahvehane, e marrë nga  arabishtja dhe persishtja – qahve (kafa) dhe khane (shtëpi), pra “shtëpia ku pihet kafeja”. Në këto kafene të para është shërbyer vetëm kafe e zezë, nargjile dhe çibukë, ndërkaq me kalimin e kohës vizitorët janë gostitur edhe me pjesë muzikore e koreografike nga valltare të shkathëta. Thuhet se kafenetë e para në Ballkan janë hapur gjatë gjysmës së parë të shekullit XVI, kurse nga gjysma e dytë e shekullit XIX ato kanë marrë përmasa të tjera, duke u shndërruar në vende magjike, në hapësira ku padukshmëria e njeriut bëhet qendra e botës, në një hapësirë autonome transcendentale ku shenjtërohet fjala, mendimi, liria, aty ku festohet bukuria sublime e shpirtit njerëzor, një vend ku njeriu është vetja. Kafenetë tona kanë qenë vende iniciativash, projektesh, qendra të rëndësishme komunikimi, vende idesh, debatesh dhe nismash të rëndësishme kulturore, politike dhe kombëtare. Kafenetë me muzikë shqip kanë filluar diku nga gjysma e dytë e shek. XX dhe ato kanë luajtur një rol pozitiv në ndërgjegjësimin kulturor dhe kombëtar. Aty është kënduar shqip, është kënduar për trimat shqiptarë, për natyrën e bukur shqiptare, për mikpritjen shqiptare, për besën, për lirinë, është kënduar gegërisht e toskërisht, është kënduar në homofoni e polifoni, me dhe pa shoqërim instrumental, është kënduar solo, në duet, në trio, pastaj janë interpretuar pjesë instrumentale nga më të bukurat e muzikës shqiptare.

Kafenetë tona deri para 20-25 vjetësh definoheshin si sintezë e përkryer e urtësisë lindore dhe karakterit pragmatik ballkanik, ndërkaq sot si gërshetim i katrahurës “moderne” kulturore dhe shthurjes perëndimore. Kafenetë e ditëve tona janë shndërruar në qendra të rrezikshme qarkullimi, grumbullimi e komunikimi ndërnjerëzor. Kanë marrë emërtime të ndryshme si “kafiç”, “pub”, “night-club”, “dancing live music”, “oriental music bar” e çka jo tjetër. Ato nuk janë më kafene në kuptimin pozitiv të fjalës, por thjesht vendtakime të rrezikshme, ku bëhen biznese të pista, pazarllëqe të turpshme, devijime kombëtare, kulturore dhe morale. Aty shitet për pak para interesi publik, feja, kombi, aty shitet nderi, aty bëhet sherri. Në këto qendra as muzika nuk i ka shpëtuar kërdisë kolerike dhe zallahisë identitare. Në vend të muziktarëve të denjë aty takon tipa që vetëthirren “DJ”, pastaj “sintisajzerista”, aty takon me bollëk instrumentistë diletantë, që në emër të muzikës shqiptare e bëjnë tradhtinë më të madhe shekullore. Ata, përmes pashijes artistike dhe mungesës së duhur estetike, e dëmtojnë rëndë veshin e publikut, saqë njerëzit më shumë preferojnë ta shikojnë muzikën sesa ta dëgjojnë atë. Në shumë lokale ”bashkëkohore” muziktarët janë aty sa për sy e faqe. Muzika është vetëm një element për ta turbulluar mendjen edhe ashtu të trullosur të vizitorëve që kanë ardhur për qëllime jomuzikore. Në sa e sa kafene moderne mund të takosh me dhjetëra e dhjetëra femra të reja shqiptare, që në emër të muzikës shpalosin miset e trupit për t’i joshur mysafirët e “kallur për këngën shqipe”. Secila prej tyre i ka klientët e saj, me të cilët komunikon aktivisht gjatë ditës (përmes celularëve dhe rrjeteve sociale), duke i ftuar në spektaklin e mbrëmjes, që zgjat deri sa të zbardhë drita. Në këto ambiente mungon komunikimi verbal ndërmjet njerëzve, sepse muzika është tmerrësisht e zhurmshme, mungon ndriçimi, mungon ajrimi, mungon përqendrimi. Duhet thjesht të shikosh muzikën, të shikosh “bukuroshet false”, që kërcejnë pa ndonjë koreografi, të shikosh pakuptimësinë e cakërrimit të gotave, rrugën e devijuar të tymit të duhanit, buzëqeshjen e imponuar, ta lexosh mesazhin e pashkruar, ta pranosh gënjeshtrën e premtuar… Muzika është në gjuhën shqipe, por nuk tingëllon shqip. Gjatë gjithë kohës herë vajtohet shqip në mekam turk, herë këndohet tallava me fjalët “tralala”. Shpeshherë dëgjohet këngëtari ose këngëtarja duke thënë: “Filani e dariti muzikën me 100 franga. Zoti i dhashtë bereqet!”, ose “Kosovalia e nderoi muzikën me 200 euro… Shkojmë special me një turbo tallava…”.

“Dy gjëra janë të pafundme: universi dhe budallallëku njerëzor”, thoshte Albert Einstein-i. Ndërkaq, Marilyn Monroe thoshte se “çmenduria është gjenialitet”, andaj meriton duartrokitje.

E kuptoj që çdo kohë e ka artin e vet, modën e vet, muzikën  vet, e ka edhe ndonjë rrëfim të vetin, por nuk dua ta pranoj që koha jonë është përplot rrëfime të tmerrshme, përplot rrëmujë, lesh e li, kohë e keqe, kohë e humbur… Sa të drejtë ka pasur Konfucie i urtë kur thoshte: “Si e ke muzikën, ashtu e ke shtetin. Muzika e bukur sjell rregull, ndërsa e shëmtuara – anarki në shtet”./ shenja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne