Shqiperia

Atentati ndaj vëllait të Ndokës, a ka lidhje djali i viktimës me vrasjen e tij?

Aleksandër Ndoka, 48-vjeçari i vrarë sot në Lezhë në një pritë pranë banesës rezulton pa precedentë penal, por konfliktet në familje i ka pasur djali i tij, Samuel Ndoka, i cili u përfshi në një sherr që përfundoi në kanosje me armë zjarri ndaj një aktivisti të LSI në zgjedhjet e 25 qershorit në qarkun e Lezhës.

Samuel Ndoka, 19 vjeç akuzohet se së bashku me kushëririn e parë Danjan Ndoka dhe disa persona të tjerë se nën kërcënimin e armës kanë kanosur dhe dhunuar ditën e zgjedhjeve të 25 qershorit, aktivistin e LSI-së, Florjan Dushku. Samuel Ndoka u arrestua më datë 28 tetor, ndërsa u prangosën edhe dy bashkëpunëtorë të tij.

Por ky nuk është konflikti i parë i Samuel Ndokës, që u arrestua në datë 28 tetor në Tiranë me një pistoletë me 7 fishekë, pasi është një emër i njohur për policinë. Samuel Ndoka së bashku me Klajdi Ndokën dhunuan edhe nënkryetarin e qarkut të Lezhës, Agustin Marku duke e goditur disa herë me grushte dhe shqelma në një lokal në 20.02.2017. Nga ana e policisë së Lezhës po hetohet edhe kjo pistë për zbardhjen e vrasjes së 48-vjeçarit Ndoka.