Australia ka bërë thirrje për mbrojtjen e spitaleve, pacientëve, si dhe të stafit mjekësor dhe humanitar në enklavën e rrethuar palestineze të Gazës.
“Australia është thellësisht e shqetësuar nga sulmet brenda dhe përreth spitaleve në Gaza, duke përfshirë një spital të financuar nga Indonezia në Gazën veriore dhe një spital fushor jordanez”, shkroi në platformën X ministrja e Punëve të Jashtme, Penny Wong.
Dje, zyra qeveritare për media në Gaza tha se mbi 7 mijë njerëz, pacientë dhe personel mjekësor të zhvendosur në spitalin Al-Shifa po “luftojnë vdekjen për shkak të mungesës së ujit dhe ushqimit” të shkaktuar nga bllokada ushtarake izraelite. Zyra theksoi se nuk ka “ushqim, ujë ose qumësht për foshnjat” në spital.
Bombardimet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, i shoqëruar nga një operacion tokësor, kanë vrarë mbi 11.500 palestinezë, më shumë se gjysma e tyre gra dhe fëmijë. Mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht.
Ndërkohë, numri zyrtar i të vdekurve izraelitë është 1.200. Sipas kompanisë “Paltel” që ofron shërbime telekomunikacioni në Rripin e Gazës, enklava palestineze përsëri është nën një ndërprerje të komunikimit për shkak të mungesës së karburantit për gjeneratorët./AA