Australia nuk dërgon anije në koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja kundër sulmeve të Huthive në Detin e Kuq

Australia nuk ka pranuar të dërgojë luftanije për të mbështetur koalicionin e udhëhequr nga SHBA-ja në Detin e Kuq mes sulmeve të vazhdueshme të Huthive ndaj anijeve tregtare.

Megjithatë, Canberra do të dërgojë pjesëtarë shtesë për të ndihmuar përpjekjet e udhëhequra nga Washingtoni për të siguruar rrugët ndërkombëtare të transportit detar, njoftoi transmetuesi lokal “Sky News Australia”. Më herët Washingtoni i kishte kërkuar Australisë që t’i bashkohej Task forcës detare të udhëhequr nga SHBA-ja në Detin e Kuq për të zmbrapsur shënjestrimin e anijeve izraelite nga grupi Huthi.

“Jo, ne nuk do të dërgojmë anije apo avion lidhur me këtë. Ne do të trefishojmë kontributin tonë në Forcat e Kombinuara Detare”, tha ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles për “Sky News”. “Aktualisht, ne kemi pesë pjesëtarë që janë të përfshirë në selinë e Forcave të Kombinuara Detare dhe gjatë muajit të ardhshëm, ky numër do të rritet në 16. Ky është një kontribut i rëndësishëm”, tha ai.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi në fillim të kësaj jave formimin e një Task force detare shumëkombëshe për të zmbrapsur sulmet e Huthive ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq. Sipas njoftimit të SHBA-së, deri më tani vendet e NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Italia, Norvegjia dhe Holanda kanë premtuar se do të mbështesin operacionin “Prosperity Guardian” për të mbrojtur anijet tregtare që kalojnë transit midis Azisë dhe Evropës.

Rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë rritur ndjeshëm përfshirjen e tyre në konfliktin aktual në Rripin e Gazës duke goditur anijet në jug të Detit të Kuq, duke thënë se këtë e bëjnë në solidaritet me “rezistencën palestineze në Rripin e Gazës”. Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne