Bashkia Berat dhe Amasya e Turqisë, bashkëpunim në fusha të ndryshme

Bashkia Berat dhe ajo Amasya e Turqisë do të ngrenë grupe të përbashkëta pune për realizimin dhe konkretizimin e disa projekteve në fushat ekonomike, sociale dhe kulturore.

Kjo u bë e ditur gjatë një takimi të zhvilluar të shtunën në qytetin e një mbi një dritareve mes kryetarit të Bashkisë Berat, Petrit Sinaj dhe nënkryetarit të Bashkisë Amasya, Osman Akbas.

Bashkia Berat dhe ajo Amasya të binjakëzuara kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërmjet tyre për projekte të përbashkëta në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, arsimit, shërbimeve sociale, produkteve industriale dhe bujqësore.

Kryetari i Bashkisë Berat, Petirt Sinaj, u shpreh se “e përbashkëta e diskutimeve midis të dyja palëve lidhej me faktin që projektet e bashkëpunimit të mos mbeteshin vetëm në kuadrin e fjalëve, por të kalonin në fazën e konkretizimit duke ngritur grupe të përbashkëta pune për realizmin e tyre”.

“Ky bashkëpunim do të konsistojë kryesisht në përgatitjen e projekteve sipas standardeve evropiane, në mënyrë që edhe Amasya, duke ndjekur modelin e Beratit, të bëhet shumë shpejt pjesë e UNESCO-s; projekte për të përftuar nga fondi IPA; shkëmbim eksperiencash midis të rinjve shqiptarë dhe turq, duke i bërë ata pjesëmarrës në Kampin “Trashëgimi Plus”; shkëmbim përvoje në fushën e restaurimeve, monumenteve të kulturës, shërbimeve sociale, aktiviteteve kulturore etj”, theksoi ai.

Në fund të takimit, të ftuarit nga Amasya vizituan qendrat kulturore dhe historike të Beratit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne