Bota

Basketbollistet muslimane së shpejti do të mund të mbajnë hixhab në lojë

Duke filluar nga 1 tetori 2017, hixhabet do të mund të përdoren në garat zyrtare të FIBA-s, ​​për sa kohë që plotësojnë disa kritere.

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, FIBA, ka shfuqizuar rregullin 4.2.2, i cili ndalon përdorimin e shamisë tradicionale islamike të njohur si hixhab.

Pas një proçesi shqyrtimi që filloi në shtator 2014, organizata botërore e basketbollit e autorizoi përdorimin e shamisë të enjten.

Rregulli i ri vjen në përgjigje të faktit se kodet tradicionale të veshjes në disa vende nuk ishin në përputhje me rregulloret e mëparshme të FIBA-s.

Një nga kriteret e përcaktuara nga organizata për mbajtjen e hixhabit është për shembull që veshjet duhet të jenë të bardha, të zeza ose në të njëjtën ngjyrë si uniforma e ekipit, raportoi BuzzFeed News.

Para marrjes së vendimit nga FIBA, rregulli 4.2.2 tregonte se lojtarët “nuk do të jenë në gjendje të mbajnë helmeta, kapele, aksesorë flokësh apo bizhuteri”, që gjithashtu përfshinte përdorimin e veshjes tradicionale islame.

Rregulli i diskutueshëm rezultoi në tërheqjen e ekipit të basketbollit të grave në Katar nga Lojërat aziatike në Korenë e Jugut në shtator të vitit 2014. Në pamundësi për të mbajtur shaminë tradicionale islamike, anëtaret e ekipit zgjodhën të tërhiqeshin në kundërshtim me rregulloret e FIBA-s.

Shfuqizimi i rregullit 4.2.2 do të ratifikohet të premten në kongresin e ardhshëm zyrtar të FIBA-s. / © Gazeta Impakt

OPINIONE