Biografia e Imam Ebu Hanife (Pjesa e Trete)

Ebu Hanife si tregtar.

 

Imam Ebu Hanifja në jetën tregtare cilësohet me katër cilësi, për t’u marrë shembull i të qenit tregtar i drejtë dhe për t’u konsideruar në pozitën më të lartë në mesin e dijetarëve:

 

1.    Imam Ebu Hanifja ka qenë zemërgjerë (sy ngopur) dhe nuk ka pasur prirje për varfëri shpirtërore.

 

2.    Ka qenë besnik i madh ndaj amanetit

 

3.    Ka qenë bujar i madh dhe All-llahu e ka mbrojtur nga koprracia.

 

4.    Ka qenë fetar i denjë dhe i përkushtuar, adhurues i madh që ka agjëruar ditën dhe ka falur namaz nate.

 

Shumica e dijetarëve në jetën tregtare Ebu Hanifen e krahasojnë me Ebu Bekr Es-Siddikun. Gjithashtu, ka qenë i denjë si në blerje të mallit ashtu edhe në shitje. Ka qenë besnik i madh ndaj amanetit. Kështu, që tregohet se një ditë prej ditëve ka ardhur një grua tek ai me një copë prej mëndafshi që t’ia shes. Ebu Hanifja e pyet: Sa është çmimi i saj? Ajo ka thënë: Njëqind dirhem? Ebu Hanifja thotë: Kjo ia vlen më shumë se njëqind dirhem. Sa kërkon (pyet Ebu Hanifja): Kështu ajo e shtoi çmimin nga njëqind në katërqind dirhem. Mirëpo, ai i thotë se kjo ia vlen më shumë se katërqind dirhem. Ajo thotë: Ti a po tallesh me mua? Ebu Hanifja thotë: Sjelle një njeri që të caktojë çmimin e gjësendit. Ajo shkon dhe kthehet me një njeri dhe në këtë mënyrë Ebu Hanifja atë e bleu pesëqind dirhem. Imam Ebu Hanifja ka qenë i matur për shitësin para se të jetë i matur për vetveten e tij. Gjithashtu nuk ka vështruar rast që të shfrytëzojë nga pakujdesia e shitësit, por në qoftë se shihte vend për ta këshilluar e këshillonte dhe nëse shihte vend për ta udhëzuar e udhëzonte.

 

Ebu Hanifja ka qenë shitës i cili nuk shikonte të fitojë në qoftë se blerësi ishte ndonjë i varfër ose mik i tij, bile edhe ndonjëherë dhuronte për shkak që fitonte shumë. Një ditë prej ditëve vjen një grua te Ebu Hanifja dhe i thotë: Unë jam e dobët dhe i thotë: Sa do të më shesësh këtë teshë më lirë nga  ajo sa ke mundësi. Ebu Hanifja thotë: Merre atë për katër dirhem. Ajo thotë: Mos u tall me mua se unë jam e moshuar. Ebu Hanifja thotë: Unë i kam blerë dy tesha, njërën e kam shitur më lirë se katër dirhem nga ajo çka i kisha blerë të dy teshat, kështu që kjo teshë më ka ngelur për katër dirhem.

 

Gjithashtu një ditë prej ditëve vjen një mik i tij dhe kërkon nga ai një teshë prej mëndafshi duke ia përshkruar dhe përcaktuar ngjyrën. Kurse Ebu Hanifja i thotë: Duro deri sa të siguroj atë dhe do të sjell ty atë insha’Allah (me lejen e All-llahut). Pas një jave atë ia siguroi dhe miku i tij ishte duke kaluar pranë tij, me ç’rast Ebu Hanifja i thotë: Unë të solla atë çka e kërkove dhe ia nxori që të shoh atë; ai e pyeti sa kushton kjo: Ebu Hanifja i thotë: Një dirhem. Ai thotë: Unë nuk e kam paramenduar se do të tallej me mua. Ebu Hanifja thotë: Unë nuk jam duke u tallur, ngase unë i kam blerë dy tesha për njëzet dinarë e një dirhem, ndërsa unë njërën prej tyre e shita njëzet dinar, kështu që kjo mua më ka ngelur për një dirhem.

 

Ebu Hanifja ka qenë shumë i kujdesshëm prej gjërave të dyshimta që e zhytin njeriun në mëkat, kështu që ai në qoftë se supozonte se nga ajo çka ka fituar është zhytur në mëkat, atë pasuri të tërën ia shpërndante të varfërve dhe nevojtarëve. Transmetohet se Ebu Hanifja ortakun e tij e ka dërguar që të shes mall, por veçanërisht i ka treguar se një teshë është me të metë dhe i ka thënë atij që ta tregojë atë të metë kur të shes, ndërsa ortaku i tij atë pëlhurë e ka shitur dhe ka harruar që t’i tregojë blerësit për mangësinë e pëlhurës. Gjithashtu ortaku kishte harruar se kush e ka blerë, por Ebu Hanifja kur e merr vesh këtë, të gjithë pasurinë e fituar e shpërndau (e dhuroi). Por, me gjithë atë tregtia e tij atij i jepte fitim të madh sa që nga ajo shpenzonte për vetveten, për nevojat e mësuesve të vet, si dhe për muhadithinët (shkencëtarët e hadithit). Po ashtu, edhe nga fitimi që i ngelte ua dhuronte atyre (mësuesve dhe muhadithinëve) dhe atyre u thoshte: Shpenzoni këto për nevojat tuaja dhe mos falënderoni tjetër kend përveç All-llahut, ngase unë nuk kam dhënë nga pasuria ime diçka, por kjo është nga dhuntia e All-llahut ndaj juve. Ebu Hanifja po ashtu ka qenë shumë i kujdesshëm ndaj veshjes dhe ata të cilët i ka njohur i ka sugjeruar për veshje të bukur dhe ta mbajnë veten të bukur.

 

Imam Ebu Hanifja ka jetuar pesëdhjetë e dy vjet të jetës së tij në periudhën e sundimit emevit dhe tetëmbëdhjetë vjet në periudhën e sundimit abasit. Në vitin 130 h. ka ikur në Mekkë dhe atje ka qëndruar gjer sa është formuar hilafeti abasit dhe pastaj është kthyer në Kufë në kohën e Ebu Xha’fer El-Mensurit. 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne