Britani, pretendohet se “është përgatitur plan për kthimin e jetës në normalitet”

Pretendohet se në Britani të Madhe janë bërë përgatitjet për rikthimin e jetës në normalitet dhe rihapjen e shkollave të cilat u mbyllën në kuadër të luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Sipas lajmit të “The Sunday Times” që është versioni që publikohet në fundjavë i gazetës “The Times”, thuhet se pas kthimit në detyrë të kryeministrit, Boris Johnson i cili pas diagnostikimit me COVID-19 ende nuk është shëruar plotësisht, do t’i paraqiten planet e përgatitjeve të bëra për normalizimin e jetës në vend.

Në mesin e këtyre planeve parashikohet hapja në ditë të caktuara të shkollave më 11 maj. Nëse plani miratohet shkollat do të hapen fillmisht për nxënësit në shkollat fillore dhe për fëmijët 10 dhe 12 vjeç të cilët do të hyjnë në provimet që do të zhvillohen në mbarë vendin në vitin 2021.

Nëse plani për 11 majin nuk pranohet, theksohet se do të jetë në rend dite hapja e shkollave më 1 qershor ose në fillim të shtatorit.

Në fazën e parë për rikthimin e jetës në normalitet do të rihapen sërish dyqanet ku mund të ruhet distanca sociale. Në këtë kuadër ‘dritë jeshile’ do të ketë për dyqanet e veshjeve dhe vendeve që shesin produkte kopshtarie.

Gjithashtu do të hiqen edhe kufizimet për shërbimet e autobusëve dhe hekurudhat si dhe mund të vijë në rend dite vendosja e detyrueshme e maskave në transportin publik.

Në fazën e dytë do të hapen më shumë dyqane

Në fund të muajit maj ose në fillim të qershorit do të kalohet në fazën e dytë. Në këtë fazë do të rihapen më shumë dyqane dhe biznese. Ndërkohë do të thirren të gjithë punonjësit dhe do të lejohen disa aktivitete të vogla sociale.

Ndërsa hapje e bareve dhe restoranteve dhe aktiviteteve të mëdha si ato sportive dhe koncerteve nuk do të jetë e mundur deri në korrik ose deri në fund të verës.

Të moshuarit do të jenë të detyruar të presin

Gjatë këtij procesi personave 70-vjeç dhe më lartë që janë në grupin e rrezikuar do t’u kërkohet që “të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi”. Këta persona nuk do të kalojnë në rregullin normal deri në gjetjen e vaksinës. Pra, rikthimi në jetën normale për të moshuarit dhe personat në grupin e rrezikuar vlerësohet se mund të mos jetë i mundur deri në fazën e tretë në pranverën e 2021.

Bizneset thirrje për “normalizim të jetës”

Kryeministri Boris Jonson i cili vazhdon të pushojë në një rezidencë kryeministrore jashtë Londrës pritet që të vijë në krye të detyrës në fund të muajit.

Bizneset në Britani ku për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën mbi 15 mijë njerëz, bëjnë thirrje për “normalizim e jetës”.

Masat në zbatim në Britani

Sipas vendimeve të marra në Britani më 23 mars dhe të zgjatura edhe për 3 javë deri më 16 prill, qytetarët mund të dalin në rrugë për të blerë nevojat themelore, të bëjnë aktivitete sportive një herë në ditë vetëm ose me pjesëtarët e familjes, të ndihmojnë ata që kanë nevojë dhe të shkojnë në punë nëse nuk mund ta bëjnë atë nga shtëpia.

Përveç farmacive dhe marketeve në Britani janë të mbyllura të gjitha bizneset si dhe nuk lejohen aktivitetet sociale përveç ceremonive mortore./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne