BUMERANG/ Qasja e Meta-Bashës ndaj 13 Tetorit: si po e legjitimojnë Ramën për 30 Qershorin

Qasja e opozitës ndaj 13 Tetorit, datës së dekretuar nga presidenti Meta për zgjedhje lokale, ardhur kjo pas ç’dekretimit të diskutueshëm të 30 Qershorit, gati po e legjitimon këtë të fundit; më saktë, qasjen e Ramës ndaj kësaj date zgjedhjesh,të cilën e mbrojti me forcë gjer në fund, derisa, edhe me diktat të fuqishëm ndërkombëtar, e bëri realitet si ditë votimesh. Po, votimesh – siç opozita me plot të drejtë preferon ta quajë.

Qasja e Ramës ishte e tillë: tej asaj kushtetuese, me logjikë sistemi e loje demokratike, zgjedhjet duheshin mbajtur gjersa pluralizmi funksiononte. Edhe me lirinë për të garuar ose jo. Ndërkohë, presidenti Meta që i anulloi ato me logjikën se nuk mund të ishin legjitime pa opozitën, pra PD-LSI, javë më vonë ra në grackën e logjikës së Ramës; tha se PD ishte e lirë që të futej ose jo në zgjedhje, referuar 13 Tetorit të tij. Pra, për Metën mjaft që më 13 Tetor të ketë zgjedhje (duke i mëshuar më shumë ligjshmërisë sesa legjitimitetit), pavarësisht nëse PD merr ose jo pjesë, që siç është parë pra, nuk lëviz nga kjo e dyta, me kushtin e panegociueshëm të ikjes së Ramës. Por nuk ndalet me Metën ky paradoks. Eshtë Basha ai që mendon ta plotësojë tablonë e një kaosi në mendimin e qëndrimin opozitar, pasi dhe ai kërkon që më 13 Tetor të mbahen zgjedhje, edhe pse pa partinë e tij në to.

“Ne  e kemi thënë se 13 tetori është e vetmja datë kushtetuese. KQZ duhet të nisë procedurat, ndryshe do vihet para përgjegjësisë ligjore dhe penale. Vendimet e partive janë partiake, nuk dënohen nga ligji, ndërsa institucionet po”, deklaroi së fundi Basha.

Por ky jurist në krye të partisë më të madhe opozitare, duhet ta dijë se anullimi i 30 Qershorit nuk erdhi nga arsye kushtetuese por politike. Ajo ishte tërësisht një datë e ligjshme, dekretuar nga Meta brenda të gjithë prerogrativave kushtetuese, dhe e anulluar më vonë me arsyetimin e mungesës së opozitës.

Duke ndjekur këtë logjikë, nëse më 13 Tetor do ketë zgjedhje por pa PD-në në garë, pse duhej anulluar 30 Qershori? Ose tjetra: një 13 Tetor pa PD-në, pse na qenka më kushtetues se 30 Qershori?

Do mjaftonte kjo që po ndodh këto javë, pra qasja e PD-së dhe e Metës ndaj 13 Tetorit, për të kuptuar efektin e tmerrshëm bumerang ku kanë rënë duke sulmuar 30 Qershorin. Janë sjellë e përsjellë, duke mbërritur në fund e rënë në kurthin logjik të Ramës: partitë janë të lira të zgjedhin, nëse duan apo jo të marrin pjesë në një garë elektorale. Pluralizimi funksionon, dhe jo vetëm për hir të garës por dhe lirisë për të garuar ose jo. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne