Rajoni

“Bursat e Turqisë”, Ballkani kryeson vendet që dërgojnë më shumë studentë

Zëvendëskryetari i Presidencës së Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB) Sayit Yusuf, tha se me bursat që ofron Turqia, prioritet i tyre është që studentët që arsimohen në Turqi t’i shërbejnë zhvillimit, mirëqenies dhe paqes sociale në vendet e tyre.

I ndodhur në kryeqytetin Shkup të Maqedonisë me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke, Yusuf në një bisedë për Anadolu Agency (AA) foli lidhur me punimet dhe projektet e YTB-së.

Yusuf tha se Turqia edhe para disa vitesh ka siguruar bursa për turqit jashtë vendit dhe komunitetet mike, ku për herë të parë në vitin 1992 ka nisur “Projekti i Madh për Studentët”, në të cilin vendet e Ballkanit janë përfshirë në vitin 1993.

Deri më sot, në këtë kuadër janë arsimuar mijëra të rinj në Turqi, thotë Yusuf, i cili theksoi se këta të rinj me formimin arsimor dhe miqësitë që kanë marrë në Turqi kanë ofruar shërbime pasi janë kthyer në vendet e tyre.

YTB është themeluar në vitin 2010, ndërsa projekti studentor nën emërimin “Bursat e Turqisë” ka vazhduar të zhvillohet në vitin 2012, rikujtoi Yusuf.

Ai tregon se çdo vit rreth 5 mijë studentë nga 163 vende të botës arsimohen nëpërmjet bursave në Turqi.

“Deri më sot, është rreth 20 mijë numri i studentëve me bursë që janë diplomuar në Turqi. Këta janë vetëm ata që kanë studiuar me bursë në Turqi. Ndërsa sot aktualisht në të gjtihë qytetet e Turqisë studiojnë me bursë rreth 17 mijë studentë”, u shpreh Yusuf.

Maqedonia është në krye të vendeve që siguron më shumë studentë në programin “Bursat e Turqisë”, bëri të ditur Yusuf, duke shtuar se nga programi i bursave përfitojnë edhe grupet e tjerë të studentëve pa dallim etnik, turq, shqiptarë, maqedonas apo boshnjakë.

Sipas Yusuf, në Turqi ndodhen 153 shtetas të Maqedonisë që studiojnë me bursë, dhe bashkë me studentët që arsimohen nëpërmjet programeve të bursave nga institucione të tjera, kjo shifër arrin në mbi 900 studentë.

“Prioriteti ynë që studentët t’i shërberjnë zhvillimit, mirëqenies dhe paqes sociale në vendet e tyre”

Yusuf “Projektin e Madh të Studentëve” e ka cilësuar si vazhdimësi të qëndrimit ndihmues të Turqisë, traditë kjo nga osmanët.

“Kjo është vazhdim i qëndrimit tonë tradicional për zgjatjen e dorës së ndihmës për miqtë dhe vëllezërit tanë. Kjo aspak nuk ka të bëjë me ndonjë situatë imperialiste”, shton Yusuf.

“Prioriteti ynë është që të arsimohen në një mënyrë të mirë, por patjetër të kthehen në vendet e tyre, t’i shërberjnë zhvillimit, mirëqenies dhe paqes sociale në vendet e tyre dhe t’i zhvillojnë ato vende”, u shpreh Yusuf, duke bërë të ditur se qëllimi i vetëm në kuadër të projektit është që të rinjtë që arsimohen në Turqi t’i shërbejnë vendit dhe qytetarëve të tyre kur të kthehen.

Krahas Bursave të Turqisë, nga e gjithë bota në Turqi janë diplomuar rreth 150 mijë studentë nëpërmjet mundësive të tjera, dhe me qëllim inventarizimin e këtyre personave, kanë zhvilluar aktivitete të shumëllojshme në shtete të ndryshme, shpjegon Yusuf.

Yusuf tregon se në të gjithë botën, kryesisht në vendet e Ballkanit, janë zhvilluar rreth 50 aktivitete për takimin e të diplomuarve dhe se në ditët e ardhshme në Maqedoni planifikojnë të zhvillojnë një takim me të diplomuarit.

Në këtë drejtim, Yusuf tha se kanë mbështetur formimin e shoqatave të të diplomuarve në Turqi.

“Sot në 20 vende të botës ka 23 shoqata të regjistruara për të diplomuarit në Turqi. Ndërsa 8-10 janë në fazën e themelimit. Në vitin e ardhshëm këtë synojmë ta rrisim në 50. Këto shoqata nuk janë shoqata të YTB-së, por mund të themi se janë partnerë të YTB-së në terren”, thotë ai.

“Diplomimi në Turqi do të jetë burim i jetesës”

Duke nënvizuar se dëshirojnë që shoqatat e formuara apo ato që do të formohen në mbarë botën, me në krye Maqedoninë, të kryejnë aktivitete duke pasur parasysh kushtet, ndjeshmëritë e sigurisë në vendet ku ndodhen, si dhe pa bërë dallime etnike t’i shërbejnë paqes dhe qetësisë së atyre vendeve, Yusuf theksoi:

“Kushti ynë i vetëm është që ne e kemi derën të mbyllur kategorikisht për ata që kanë kryer armiqësi ndaj Republikës së Turqisë. Në lidhje me këtë çështje, nuk kemi as edhe tolerancën më të vogël. Po ashtu, dera jonë është e mbyllur edhe për armiqtë e Maqedonisë. Sepse një strukturë, element i lidhur me terrorizmin që shqetëson Maqedoninë, na shqetësone dhe ne. Gjithashtu, edhe ata që na shqetësojnë ne, duhet të shqetësojnë edhe Maqedoninë. Teksa ne tregojmë këtë ndjeshmëri, edhe pala tjetër duhet të tregojë këtë ndjeshmëri”.

“Në të njëjtën kohë, diplomimi në Turqi do të jetë burim i jetesës”, tha Yusuf, duke vënë në dukje se në fazat e ardhshme synojnë të sigurojnë integrimin botëror të sistemit që kanë formuar.

Ai tha se besojnë se turqishtja është gjuhë e paqes, ndërsa shtoi se “Turqishtfolësit në këtë vend nuk kanë qenë asnjëherë elemente të destabilizmit. Nuk kanë qenë të tillë as në Maqedoni, as në Kosovë, as në Trakinë Perëndimore dhe në asnjë vend të botës. Madje edhe në Irak nuk kanë qenë të tillë”.

OPINIONE