Bushati e pranon: Serbia dhe Mali i Zi janë para nesh

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka folur dje për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE dhe për takimin që zhvilloi me homologun tij grek. Lidhur me procesin e integrimit ministri shqiptar pranoi për herë të parë se Serbia dhe Mali i Zi janë më përpara në këtë proces. “Vendimmarrjen ne e presim në Këshillin e qershorit të vitit që vjen.

Fillimisht në nivelin e Ministrave të Jashtëm dhe më pas të kryetarëve të qeverive dhe shteteve anëtare të BE. Në maj do të ketë një Samit të nivelit të lartë për herë të parë për Ballkanin Perëndimor që nga Samiti i Selanikut përgjatë Presidencës bullgare, ku kryetarët e qeverive të vendeve anëtare të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ulen së bashku për të diskutuar procesin e zgjerimit dhe përshpejtimin e këtij procesi për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ka pasur spekulime politike dhe mediatike në Shqipëri, duke lidhur deklaratat e Presidentit të Komisionit Europian përsa i përket kësaj strategjie vetëm me dy vende, Malin e Zi dhe Serbinë. Është fakt që Serbia dhe Mali i Zi janë më të përparuara në këtë proces nga pikëpamja formale. Mali i Zi ka hapur rreth 24 kapituj, Serbia është në fazat e para të bisedimeve për anëtarësim dhe është krejt e natyrshme për dy vende që janë në pistë të ketë një fokus më të madh”, tha Bushati. Ai paralajmëroi mbledhje të përbashkëta qeveritare në javët e ardhshme me Kosovën dhe Maqedoninë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne