Bota

Çavushoglu për vrasjen e Khashoggi: Përcaktimet tona përputhen me ato të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi tha se provat e raportues së Kombeve të Bashkuara përputhen me përcaktimet e Turqisë.

Në prononcimin e bërë për gazetarët në rrethin Antalya, Çavushollu bëri të ditur se raportuesja e OKB-së erdhi në Turqi për të mbledhur informacionet paraprake dhe ajo shoqërohej nga një grup specialistësh i përbërë nga 5-6 persona.

Shefi i diplomacisë së Turqisë shpjegoi se me në fillim bisedoi vetë me raportuesen dhe më pas u zhvilluan takime edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Informativ.

“Raportuesja u takua me Prokurorin tonë të Republikës në Stamboll dhe mori informacione të detajuara nga organet e nevojshme. Ne ndamë me delegacionin e OKB-së provat e mbledhura gjatë procesit të hetimit. Ky nuk ishte një hetim zyrtar, ishte një vizitë për mbledhjen e informacioneve paraprake. Kombet e Bashkuara duhet të krijojnë një komision për zbardhjen e çështjes ose duhet të fillojnë një hetim” tha Çavushollu.

Në ditët në vijim, së bashku me disa vende të tjera, do të bëjnë një aplikim të tillë tha ai dhe shtoi: “Deri më tani ka pyetje që nuk kanë gjetur ende përgjigje. Arabia Saudite pohoi se Jamal Khashoggi në fillim u vra në Konsullatën e Përgjithshme të këtij vendi në Stamboll dhe më pas trupi u copëtua por nuk e dimë ende se ku ndodhet kufoma dhe ku ndodhen copat e kufomës. Nga ana tjetër nuk kemi marrë një përgjigje të qartë nga Arabia Saudite se kush qëndron pas krimit, kush e dha urdhrin?”.

Ministri Çavushollu tha se Turqia ndau me shoqërinë ndërkombëtare të gjitha informacionet dhe provat që zotëronte.

“Kundrejt kësaj nga Arabia Saudite nuk është marrë ende informacion në lidhje me këtë çështje ose për hetimin që vazhdon atje. Në bazë të këtyre, marrja e iniciativës nga ana e Kombeve të Bashkuara do të jetë një rrugë e goditur. Provat që ka në dorë raportuesja përputhen me përcaktimet tona të deritanishme” kjo është e rëndësishme”.

Gazetari saudit Jamal Khashoggi ishte vrarë barbarisht më 2 tetor 2018 në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, ku ai kishte shkuar për të kryer disa veprime konsullore për lidhje martesore./ trt

OPINIONE