Çeçenia – një ringjallje islamike e pashembullt

Hani Salah

Pas mohimit të ushtrimit të fesë së tyre gjatë epokës Sovjetike Komuniste që zgjati 74 vjet, nga viti 1917 deri më 1991, dhe pas hyrjes së saj në dy luftëra shkatërruese gjatë 15 viteve të para pas kësaj date; duke shpresuar ndarjen nga Federata Ruse …

Republika e Çeçenisë po përjeton një ringjallje islamike të paparë, e cila po pasqyrohet në rindërtimin e institucioneve të da’ves, arsimit dhe bamirësisë, gjë që e ringjalli frymën fetare të këtij populli të etur për të jetuar nën dritën e Islamit.

Kohëve të fundit mu dha mundësia ta vizitoj Çeçeninë me qëllim të mbulimit mediatik dhe shikimit të realitetit të jetës së muslimanëve atje. Dhe gjatë vizitës sime, e cila zgjati për rreth dy javë, e pashë një popull të etur për të jetuar nën dritën e Islamit duke e ruajtur përkatësinë kombëtare në shtetin e Rusisë Amë si qytetar të Rusisë.

Republika e Çeçenisë është një nga 7 republikat me shumicë muslimane në rajonin e Kaukazit Verior në jug të Federatës Ruse, e cila përfshin rreth 85 subjekte federale, në një sipërfaqe prej më shumë se 17 milion km2, apo përafërsisht e barabartë me sipërfaqen e Amerikës Jugore…

Popullsia në Republikën e Çeçenisë është 100% muslimane dhe numri i tyre arrin në 1.5 milion banorë.

Islami aty arriti nga Lindja nëpërmjet republikës fqinje të Dagestanit, në të cilën Islami erdhi gjatë sundimit të halifit të dytë të drejtë Omer ibn el-Hattabit përmes vetë sahabëve, kur 40 prej tyre hipën në anije dhe erdhën aty përmes Detit Kaspik në qytetin Derbant në Jug të Dagestanit. Ende deri më sot në një nga varrezat e lashta ruhen eshtrat e tyre.

Ajo u bë pjesë në kuadër të kufijve të Rusisë Federale në vitin 1860, pas luftërave brutale mes rusëve dhe çeçenëve që zgjatën për rreth 30 vjet.

FAZA E RE

Pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, filloi një fazë e re e lirive fetare të katër feve qiellore të njohura në Rusi, Islami, Krishterimi, Orthodhoksizmi, Judaizmi dhe Budizmi, ku ligji për këtë u miratua në vitin 1994.

Muslimanët në Rusinë bashkëkohore (të Putinit) vazhdojnë të gëzojnë liri fetare të papara në historinë e marrëdhënieve historike midis popujve muslimanë të cilët kanë hyrë në kuadër të Shtetit Rus nëpërmjet sundimit dhe dominimit në fazat e mëparshme historike, ku konflikti ishte synim kryesor në këto marrëdhënie.

Mjafton sinjalizimi vetëm në një faqe të përgjakshme nga historia e popullit Çeçen, për ta kuptuar dallimin në mes të kaluarës dhe të tashmes; Stalini në vitin 1944, kishte nxjerrë një vendim për dëbimin e popullit Çeçen dhe të Ingushetisë për në Siberi. Kush e refuzonte atëherë, ose ishte i paaftë për të shkuar, pushkatohej. Disa prej tyre i tubuan nëpër ferma dhe i dogjën të gjallë.

Kjo çështja e fundit (e re), e shprehur në gëzimin e lirive fetare dhe të drejtave qytetare, krijoi një ndjenjë të shtetësisë dhe përkatësisë së shtetit Rus nga ana e popujve muslimanë brenda Rusisë, të cilët përbëjnë më shumë se 20 milionë banorë, duke përfshirë këtu edhe popullin Çeçen, i cili u vonua nga pjesa tjetër e popujve muslimanë në gjithë Rusinë, për shkak të dy luftërave të mëparshme me Rusinë, që përfunduan me një marrëveshje paqeje mes dy palëve.

Nga ana tjetër, shteti Rus u angazhua në afrimin e muslimanëve të tij dhe fitimin e tyre për pozicione politike (shtetërore) duke i trajtuar ata si një derë të vetën drejt forcimit të lidhjeve të tij me vendet e botës islame …

BARAZIA E VENDOSUR

Kjo marrëveshje dypalëshe që është në interes të secilës palë, ka bërë barazimin e marrëdhënieve mes muslimanëve të Rusisë, përfshirë edhe muslimanët e Çeçenisë dhe pushtetit në Moskë si më poshtë:

Liritë fetare dhe të drejtat qytetare në këmbim të mbështetjes së qëndrimeve shtetërore ruse të autoriteteve të Moskës… Kjo kërkon ndarjen e përkatësisë islame jashtë Rusisë për qëndrimet e Rusisë ndaj çështjeve ndërkombëtare, njëjtë edhe me vendet e botës islame.

Me fjalë të tjera, ti si shtetas musliman rus, i ke të gjitha të drejtat si shtetas dhe të gjitha liritë si musliman, kurse në këmbim të kësaj ti duhet ta mbash anën e shtetit tënd (Rusisë) në të gjitha çështjet kombëtare, pa marrë parasysh sesa janë këto çështje politike ..

Kjo barazi, muslimanëve të Rusisë në përgjithësi, kurse popullit Çeçen në veçanti i dha mundësi për të marrë frymë lirshëm, për t’i gëzuar liritë fetare si asnjëherë më parë, si dhe për t’iu përkushtuar rindërtimin e institucioneve të tyre të da’ves dhe ato islame, të cilat u shkatërruan plotësisht në dekadat e njëpasnjëshme në të cilat sundoi komunizmi i Rusisë Sovjetike.

RILINDJA ISLAMIKE

Çeçenia është duke përjetuar një rilindje islamike, sidomos në fushën e arsimit islam në nivele të ndryshme. Kjo rilindje islamike veçanërisht është e përqendruar në fushën e edukimit islam për muslimanët e Rusisë në rajone të ndryshme, sidomos në ato rajone ku ka prani të lashtë historike islame, siç është rajoni i pellgut të Vollgës (Republika e Tataristanit) dhe rajoni i Kaukazit Verior (me 7 republika islamike), në mesin e të cilave është edhe Çeçenia.

Fillimisht, filloi lëvizja e ndërtimit të xhamive, ku banorët e fshatrave dhe qyteteve mblidhnin fonde në bazë të potencialit të tyre dhe ndërtonin xhami në fshatrat dhe qytetet e tyre. Paralelisht me to ndërtonin edhe shkolla (medrese) pranë çdo xhamie, sepse ky ishte zakon i tyre që nga kohërat e vjetra para komunizmit, që pranë çdo xhamie të ketë një shkollë (medrese), ku imami i mban mësimet e tij fetare.

Paralelisht me lëvizjen e ndërtimit të xhamive dhe shkollave (medreseve) bashkangjitur me to, në vitin 1990, u themelua edhe Instituti i parë islamik në rajonin Kurqalov në Republikën Çeçene, i cili njëherit është i pari në rajonin e Kaukazit Verior. Drejtor i tij ishte i ndjeri Ahmed Haxhi Kadirov, presidenti i parë të Republikës së Çeçenisë dhe babai i presidentit aktual, Ramzan Kadirov. Ai ishte një njeri i ditur, i diplomuar më parë në Universitetin Islamik në Uzbekistan dhe i takonte tarikatit kaderij.

ARSIMI ISLAMIK

Gjatë vizitës sime në Çeçeni, pashë se arsimi islamik kishte një pozitë të lartë në zemrat e popullit të Çeçenisë, nga i cili u privua gjatë epokës komuniste e cila zgjati rreth 74 vjet. U ndërtuan institucionet më të shquara të arsimit islamik në Çeçeni, në qendër të kryeqytetit Grozni me sipërfaqe mbi 1400 m2. Kjo hapësirë u quajt “Kompleksi i Arsimit Islamik”, në të cilin përfshihet Universiteti islamik, ndërtesa e administratës fetare dhe Xhamia e madhe. Kjo pasqyron pozitën e arsimit islamik dhe të institucioneve të Islamit në zemrat e popullit çeçen.

Përmes bisedave dhe takimeve të mia që pata me shumë predikues, imamë dhe të rinj, vura re se pothuajse të gjithë ishin të përfshirë në kurse për mësimin e shkencave islame. Kështu që kush nuk ka qenë nxënës në shkollat ​​islamike apo në Universitetin Islamik në kryeqytetin Grozni, ishte i përfshirë në njërin prej kurseve të Bashkësisë islame ose një nga ciklet e mësimeve dhe ligjëratave nëpër xhamitë të cilat i zbukurojnë qytetet e Çeçenisë, që u ndërtuan kohëve të fundit në dizajnin urban më të mirë të mundshëm, kapaciteti i disave prej tyre arrin numrin e rreth 15.000 namazfalës, siç është shembulli i xhamive të mëdha në qytetin Argon, në afërsi të kryeqytetit çeçen Grozni.

RILINDJA URBANE

Paralelisht me rilindjen islame, Çeçenia po përjeton edhe një rilindje urbane të pasqyruar në rindërtimin e qyteteve të saj dhe rigjallërimin e lëvizjes së tregtisë, qoftë të brendshme apo të jashtme me pjesën tjetër të rajoneve të Rusisë. Kjo bëri që të hyrat për kokë të banorit në Çeçeni i tejkaluan ato të disa rajoneve të tjera të Rusisë dhe të vendeve fqinje.

Mirëpo, ajo që i mungon Çeçenisë në fazën e hershme të zhvillimit, pas përfundimit të fazës së rindërtimit që i pasoi luftërat e saj të mëparshme, është angazhimi në procesin e ndërtimit të fabrikave dhe prodhimtaria e shumë burimeve të saj natyrore, sidomos ato minerale, ndër të cilat më e dalluar është ajo e naftës së papërpunuar, e cila paraqet një sfidë përballë saj dhe një pengesë për transformimin e saj në “Zvicër të Kaukazit”, pasi që u bë rajoni më i sigurtë dhe më paqësor në Jug të Rusisë.

https://islamonline.net/21787

Nga gjuha arabe përshtati: Miftar Ajdini

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne