CENTCOM-i konfirmon rrëzimin e dronit amerikan nga Irani

Zëdhënësi i CENTCOM-it, Bill Urban, tha të enjten se një raketë iraniane tokë-ajër goditi një dron të mbikëqyrjes detare të marinës amerikane në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi ngushticën e Hormuzit.

Ai e quajti atë një “sulm të paprovokuar mbi një pajisje mbikëqyrëse amerikane” dhe vuri në pah se mjeti ajror pa pilot është përdorur për misionet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit mbi rajonet oqeanike dhe bregdetare.

Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të rrëzonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve cisternë në rajon, për të cilat SHBA-ja fajëson Iranin, por që Irani i mohon duke ia ngarkuar përgjegjësinë Uashingtonit.

Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Rrëzimi i mjetit ajror pa pilot të llojit “RQ-4A Global Hawk” shënon sulmin e parë të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj SHBA-së gjatë kësaj krize.

Në një prononcim menjëherë pas njoftimit të bërë nga Garda Revolucionare e Iranit për rrëzimin e dronit amerikan, zëdhënësi Urban pati thënë se “sot nuk kishte asnjë avion të SHBA-së me mision në hapësirën ajrore iraniane”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne