Çfarë strategjie po ndjek Rama për të nxjerrë jashtë loje Kolegjin Zgjedhor

Pak ditë më parë, Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës depozitoi një padi në Kolegjin Zgjedhor. Kjo padi, u interpretua në media si një përpjekje e opozitës për të “rrëzuar” 18 qershorin si datë, pra për të shtyrë zgjedhjet.

Në thelb, Duka i rreshtuar në opozitë i kërkon Kolegjit Zgjedhor të çregjistrojë listat e kandidatëve për deputetë të 15 partive që do të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas Dukës, por edhe juristëve të PD-së, këto lista janë depozituar pasi afati ligjor kishte skaduar, pra janë të jashtëligjshme.

Opozita pretendon se listat janë dorëzuar jashtë afatit, pasi data përfundimtare ka qenë 28 prilli në orën 24:00, ndërsa listat e kandidatëve janë depozituar të nesërmen.

Me mbërritjen e kësaj padie, Kolegji Zgjedhor hodhi shortin e trupës gjykuese që do ta shqyrtojë atë, shkruan Gsh.

Padia e PAA-së do të gjykohet nga Tomor Skreli, Sotiraq Lubonja, Gjin Gjoni, Ridvan Hado si dhe Artur Malaj. Gjin Gjoni u zgjodh relator (drejtues) i kësaj çështjeje. Kjo padi u caktua të shqyrtohej më datë 18 maj, në orën 12:30.

Menjëherë pas publikimit të emrave, maxhoranca u shqetësua.

Mesa duket ajo nuk ndihet komode me këtë pesëshe gjykimi. Mediat pranë qeverisë, theksojnë emrin e Gjin Gjonit. Nëse ankesa e PAA-së do të merret parasysh, “18 qershori” bëhet i pavlefshëm si datë sepse kandidatët do të quhen të paligjshëm. Zgjedhjet, ndoshta do të duhet të shtyhen.

Sot, PS-ja i doli të keqes përpara. Juristët e saj menduan një lëvizje për ta zhvleftësuar “a priori” kërkesën e PAA-së.

Sot, një parti që as nuk është regjistuar fare të marrë pjesë në zgjedhje, (të paktën, PAA-ja e Dukës është regjistruar si parti, por s’ka paraqitur kandidatë) ka bërë të njëjtën padi, me të njëjtin subjekt. Ish-aleati i PS-së, Partia Aleanca Popullore me kryetar Amos Dojakën i kërkoi KQZ-së çregjistrimin e listave të kandidatëve për deputetë, të 15 partive që i kanë paraqitur ato në KQZ, shkruan Gsh.

Kolegji hodhi shortin dhe u caktua 5-shja gjykuese: Relator Astrit Kalaja dhe anëtar Sotiraq Lubonja, Lindita Sinani, Tomor Skreli dhe Gjin Gjoni. Çuditërisht, megjithëse kërkesa e PAP-së u bë pas asaj të opozitës, Kolegji vendosi që ta shqyrtojë këtë kërkesë para asaj të PAA-së. U vendos data 18 maj, pra e njëjta datë kur do shqyrtohet kërkesa e PAA-së, por 2 orë më herët. Padia e PAP-së do shqyrtohet në orën 10:30.

Këto dy orë mund të zhvleftësojnë gjithë iniciativën e opozitës. Sepse nëse trupa e re zgjedhore me relator Astrit Kalanë do të rrëzonte kërkesën e PAP-së, trupa gjykuese me drejtues Gjin Gjonin do ta kishte të pamundur të merrte vendim tjetër. Kjo sepse kemi të bëjmë më të njëjtën kërkesë, me të njëjtin objekt, pra rrëzimin e gjithë kandidatëve të zgjedhjeve të 18 qershorit, por të depozituar nga 2 parti të ndryshme.

Afërmendsh, 5-shja gjykuese e orës 12:30 nuk mund të japë një vendim të kundërt me atë të orës 10:30. Pa paragjykuar vendimmarrjen e 7 gjyqtarëve me eksperiencë që janë përfshirë pa dashur “në lojë”, mund të thuhet që kjo është një strategji e gjetur e juristëve të Edi Ramës për të zhvleftësuar nismën e opozitës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 18 qershorit pa opozitën.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress