Covid-19/ Ylli Rakipi: Askush nuk po mendon për biznesin, do të ketë tronditje sociale!

Gazetari Ylli Rakipi ka qenë i ftuar në emisionin “Në fokus”, në “Tv T”, ku ka folur për seancën plenare të ditës së sotme dhe vështirësitë që do të hasin bizneset, për shkak të pandemisë.

Ai u ndal edhe tek deklarata e kryeministrit, se pa masat e qeverisë, në Shqipëri do të kishte 18 mijë të vdekur. Rakipi e quajti këtë një deklaratë të turpshme.

“Edi Rama mbajti një fjalim, që për mua tregon, se ai është njeriu më i paturpshëm, që nga viti 1912, që nga qeveria e Ismail Qemalit deri më sot. Ai tha se do të kishin vdekur në Shqipëri, sipas projeksioneve, 18 mijë njerëz.
Është cinike, e shëmtuar dhe e papërgjegjshme. Ky kryeministër së pari duhet të bëhet serioz, përballë kësaj pandemie, duhet të shprehë një farë serioziteti, si mund të deklarosh që do të vdisnin këtu 18 mijë njerëz? Sa kanë vdekur në Kosovë? Nuk ka pikë serioziteti”, tha Rakipi.

Gazetari u shpreh se gjendja ekonomike do të përkeqësohet dhe se do të ketë tronditje të jashtëzakonshme sociale.

“Edi Rama ka paguar disa paga të njerëzve në nevojë, që nuk kanë bukën e gojës, por asgjë nuk ka menduar për biznesin, sepse atë e ka çuar drejt bankave, për të marrë kredi dhe nuk e dimë se cfarë do të ndodhë. Do ta shohim se ku do ta çojë ky koronavirus Edi Ramën.

Një gjë është e rëndësishme dhe e vërtetë, Shqipëria është një vend i varfër dhe me ekonomi primitive. Këto vende do ta vuajnë më shumë këtë pandemi, këtë dëgjojmë nga ekspertët në botë. Do të ketë tronditje të jashtëzakonshme sociale, do të ketë tronditje edhe tek klasat politike”, u shpreh Rakipi./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne