Bota

Dëmshpërblehet turistja kineze që u rrah nga roja kufitare e SHBA-së

Një grua kineze u dëmshpërblye me 460,800 dollarë pasi paditi qeverinë e SHBA-së për një incident në të cilin u plagos brutalisht dhe u arrestua nga një roje kufitare gjatë një vizite në Ujëvarën e Niagarës. Agjenti kishte menduar gabimisht se turistja ishte e lidhur me një të dyshuar për drogë.

Zhao Yan, një pronare biznesi dhe mësuese pianoje nga Tianjin, Kinë, ishte duke soditur Ujëvarën e Niagarës në vitin 2004. Vizita e saj në vendin turistik erdhi gjatë udhëtimit të saj në SHBA me një vizë biznesi, për të studiuar tregun e drurit në Pensilvani, siç thuhet në dokumentet e gjykatës të cituara nga AP.

Incidenti ndodhi kur Zhao, atëherë 38 vjeç, dhe dy gra të tjera u larguan me vrap nga një stacion inspektimi në Urën e Ylberit në kufirin SHBA-Kanda, në vend që t’u bindeshin urdhrave për të hyrë brenda.

Urdhri iu dha grave nga oficerët që besonin se ato mund të ishin lidhur me një të dyshuar për drogë që sapo kishin ndaluar.

Oficeri i Mbrojtjes së Doganave dhe Kufijve, Robert Rhodes, e ndoqi Zhaon duke i vënë gjurin në shpinë dhe duke i ngritur kokën në trotuar, sipas prokurorëve të qeverisë. Ai gjithashtu përdori spraj djegës kundër saj.

Një foto e Zhaos me fytyrën e mbuluar me të çara, plagë dhe ënjtje qarkulloi gjerësisht në internet pas incidentit, duke shkaktuar zemërim në Kinë.

Në një gjykim civil të vitit 2015, autoritetet amerikane pohuan se lëndimet e Zhaos ishin për faj të saj, sepse ajo u largua nga oficeri dhe pastaj filloi ta godiste me shqelma e grushta dhe ta gërvishte, para se dy oficerë të tjerë të mbërrinin dhe ta shtrinin Zhaon në tokë. Zhao tha se ajo vrapoi sepse oficerët e frikësonin atë.

Megjithatë, gjykatësja federale Elizabeth Wolford vendosi në favor të Zhaos të hënën, duke caktuar 385,000 dollarë për dhimbjet dhe vuajtjet e kaluara dhe të ardhshme, 64,000 dollarë për shpenzimet mjekësore, 1,800 dollarë për të ardhurat e humbura dhe 10,000 dollarë për arrestim të rremë gjatë një gjyqi në Rochester, Nju Jork.

Vendimi tha që qeveria amerikane ishte përgjegjëse për sjelljen e Rhodesit, sjellje e cila konsiderohej një “agresion dhe arrestim i rremë”.

Rhodes fillimisht u shkarkua dhe u akuzua penalisht për shkeljen e të drejtave civile të Zhaos pas incidentit. Megjithatë, ai u lirua në një gjyq në vitin 2005 dhe përfundimisht iu lejua të kthehej në punën e tij.

Një avokat i tij nuk iu përgjigj kërkesës së AP-së për të komentuar të martën.

Ndërkohë, dëmshpërblimi i Zhaos është një pjesë e vogël e 10 milionë dollarëve që ajo po kërkonte.

“Ky incident dëmtoi pothuajse të gjitha aspektet e jetës sime,” tha ajo në një paraqitje gjyqësore.

Zhao tha se incidenti e kishte poshtëruar atë dhe i kishte lënë trauma fizike dhe mendore, gjë që e pengonte atë të punonte. Ajo tha gjithashtu se tani ka frikë nga policia me uniformë. / © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA