Denar Biba: PD duhet përgëzuar për Kajmakun, shkoi përtej KQZ e Prokurorisë

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në News24, se Partia Demokratike është për t’u përgëzuar me denoncimin ndaj kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku, i cili tashmë është shkarkuar nga KQZ. Biba tha se PD shkoi përtej KQZ dhe Prokurorisë, duke zbuluar arrestimin e Kajmakut në Greqi për falsifikim parash.

“As mund të imagjinohet një gjë e tillë. Por, letra e Gazmend Bardhit drejtuar KQZ ishte pa asnjë dyshim një formë presioni. Është për t’u përgëzuar PD, sepse ishte iniciatore, si duket pati informacionet, dhe shkoi përtej mundësisë së KQZ, madje edhe Prokurorisë, për Kajmakun e të tjerët. KQZ ka qenë korrekte kur iu ka kërkuar institucioneve shqiptare, jo të huaja, të dhëna për kandidatët. KQZ nuk ka asnjë lloj mundësie që të ketë kontakte apo informacion se çfarë kanë bërë shqiptarët jashtë shtetit. PD duhet përgëzuar, por letra ishte një lloj presioni”, u shpreh Biba.

Vendimi i KQZ për shkarkimin e Agim Kajmakut si kryebashkiak i Vorës, kishte rezerva?
Kishte rezerva, tendencë për të manipuluar jo. Për fat të mirë dhe të keq, të gjitha vendimet e KQZ janë live. Jo vetëm procesi i vendimmarrjes, por edhe i arsyetimit që bëjnë anëtarët. Kjo është e mirë për publikun, por jo i rehatshëm për ne anëtarët, që duhet të bëjmë çdo mendim publik. Kam thënë se prezenca e medias gjatë gjithë gjykimit nuk është korrekte, pasi mediat në gjykata nuk lejohen gjatë gjithë kohës. Në rastet kur ne gjykojmë në bazë të ligjit të Dekriminalizimit preken thelbësisht liritë e individëve, ekspozohet jeta e tyre personave, në rast konkret e Agim Kajmakut.

Elementi kryesor për të cilin Kajmaku u ndëshkua ishte sepse kishte dështuar të ekspozonte problematika të jetës së vetë përmes formularin të Dekriminalizimit. Fakti që personat publikë janë më të ekspozuar ndaj publikut nuk duhet t’i bëjë ata krejtësisht të pambrojtur, sepse çdokush ka një minimum dinjiteti, që duhet ruajtur nga institucionet publike.

Në drejtësi djalli qëndron te detajet, dhe detaji nga detaji ndryshon çështjet. Në rastin e Kajmakut vepra për të cilën ai ishte arrestuar praktikisht nga drejtësia greke është vlerësuar se nuk është kryer dhe ata i kanë dhënë pafajësinë. Atij i është dhënë pafajësia pasi ai ka dorëzuar formularin. Ai nuk ka treguar në formular se ka qenë i arrestuar për këtë arsye.

Keni diçka apo jo në frymën e këtij ligji?
Në bindjen time dhe të shumicës së kolegëve ka një mospërputhje mes rregullimeve të ligjit të Dekriminalizimit dhe të vendimit që ka dalë. Legjislacioni që rregullon për Dekriminalizimin përbëhet nga norma kushtetuese, ligji i Dekriminalizimit, vendimi i Kuvendit dhe formulari përkatës që mbushin të gjithë subjektet. Ndërkohë që ligji parashikon vepra përkatëse dhe thotë “ndalohet të kandidojnë apo të zgjidhen individë që kanë kryer 1, 2.. deri 70 vepra penale”, jep edhe ndalesën tjetër për kohëzgjatje dënimi, ku shumica janë përkohësisht, shumë pak janë ata që ndalohen për të gjithë jetën, nuk parashikon rastin e deklarimit ose të mos tregimit të së vërtetës në formular si vepër penale dhe si rast për shkarkim. Në këtë pikë, vendimi i Kuvendit ka tejkaluar ligjin dhe ka përcaktuar një rast të ri shkarkimi. Kjo është qartësisht në kundërshtim me ligjin. KQZ nuk mund të bënte asgjë, ne jemi operatorë së të drejtës. Dekreti i Presidentit ishte një akt individual. Ne nuk kemi thënë që dekreti është anti-kushtetues, por është në kundërshtim me ligjin.

Si u vendos në KQZ për Kajmakun?
Njëri nga kolegët pati propozimin që t’i kërkonim dokumentacion shtesë Prokurorisë. Nuk është hera e parë, KQZ edhe po ta pranonte kërkesën nuk do të bënte diçka. Pastaj edhe kolegu i bashkua me mendimin e shumicës. Nëse Prokuroria ka gabuar me vendimin, përgjegjësia është e saj. Herë tjetër Prokuroria është mirë të mos sjellë dosje të cunguara.

Reforma Zgjedhore, besoni se mund të ketë Shqipëria ndonjëherë administratë zgjedhore të depolitizuar?
Ju i vendosni të gjitha shpresat tek administrata zgjedhore, ndërkohë që ka vende në botë sa të duash që i ka të politizuara administratat. Por, politika atje nuk ka përplasje, klima është shumë qytetare./balkanweb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne