Opinion Shqiperia

Despotët e Demokracisë, “Fuori mascalzoni”

Nga Genc Burimi

Në një shkrim të djeshëm në formë replike te Dita, citohej shkrimtari irlandez i fillimshekullit të 20, Shou, sipas të cilitDemokracia është një mekanizëm që na siguron se do të qeverisemi siç e meritojmë”. Përse ta gënjejmë veten më gjatë, pyeste me militantizëm, artikullshkruesi Viktor Malaj. Këtë të diel, o shqiptarë, lërini vicklat por votoni për Edi Ramën se më mirë se kaq ne shqiptarët nuk mund të meritojmë! A s’është kjo demokracia? T’i  shtrish këmbët sa ke jorganin? A s‘është me “detyrim-përcaktim” për shqiptarët që të votojnë për jorganin më të gjatë të kësaj fushate? Dua që në këtë shkrim t’i qëndrojmë analizës së ftohtë dhe jo sjelljeve partizane që kanë të gjitha një emërues të përbashkët, rënien në karikaturë. Ata që na lexojnë nuk i përkasin vetëm një partie. Pak më shumë respekt për lexuesit nuk do t’i bënte dëm askujt.

Si arritëm në këtë stad neverie?

Dua t’i huazoj shkrimtarit surrealist belg të mesit të shekullit të kaluar, Ashil Shavé dy citime për të analizuar më tej rastin shqiptar:

“Ekzistojnë dhe despotë të demokracisë!”. “Nganjëherë, nuk mjafton të kthehet faqja. Ajo duhet grisur fare”.

Edi Rama bëri të lindë një shpresë e papërshkrueshme në Shqipëri më 2013. Një optimizëm për ndryshim, pagëzuar Rilindje. Edi Rama ka arritur sot disa gjëra. Më të qenësishmet janë qendrat urbane të rinovuara që arriti majat me Sheshin Skënderbej dhe që të kujtojnë paratë e hedhura lum në Shkupin ekstravagant. A janë arritjet e tija në lartësinë e pritshmërive që krijoi?

Rama premtoi dy shtylla. Punësimin masiv deri në 300 mijë vende të reja pune. Por epilogu rezultoi me 300 mijë ikje të reja në emigración. Rama premtoi fundin e pandëshkueshmërisë për politikanët që grabitën ndër vite këtë popull. Por epilogu konsistoi me futjen e tyre jo në burg, por në qeveri, pas  “qepallës” me vetë King-un e Pandëshkueshmërisë.

Para Ramës, shqiptarët besuan me naivitet gjatë këtij çerek shekulli tek dy líderët e tjerë kryesorë të politikës shqiptare. Sali Berisha më 1992 do ta bënte Shqipërinë si Europa. I njëjti Sali Berishë me 2005, premtonte t’i jepte fund korrupsionit galopant të Fatos Nanos dhe ta varte atë në rruspën e drejtësisë. Nano vetë kishte ngritur dhe ai një valë të papërmbajshtme shprese pas rënies së piramidave financiare të 1997-ës. Ish-kryesocialisti premtoi asajkohe kthimin integral të parave të humbura tek qytetarët dhe burgimin e përgjegjësit kryesor të asaj katastrofe, Sali Berishën.

Është e njëjta muzikë që dëgjojmë nga goja e kryeministrave që prej dy dekadash e gjysmë, ndëshkime ferri për fajtorët dhe parajsë për shqiptaret e thjeshtë. E në fund të katër viteve s’ka ndodhur as njëra dhe as tjetra.

Nëse vazhdojmë dhe në zgjedhjet e 2017-ës t’i themi liderit “máximo”, vazhdo, se s’kemi tjetër më të hajrit se ty, krijojmë me duart tona despotë të demokracisë të cilët kujtojnë se asnjë gjemb nuk u hyn në këmbë.

Është pikërisht kjo logjika institucionale e Edi Ramës sot. Pak rëndësi kanë provokimet dhe dështimet, duke filluar nga shkelja me këmbë e memories së dëshmorëve të 21 janarit. Ai mendon se paska të garantuar të ridrejtojë këtë vend si të ishte monark që nuk mban asnjë përgjegjësi.

E njëjta gjë me “challenger-ët” e tij.  Lulzim Basha në karrierën e tij me poste të larta qeveritare la shumë për të dëshiruar. Por a vret ndopak ndërgjegjja? Lista është e gjatë, që nga ortakllëqet me Fazliçin të cilit ia strehonte kompanitë tek adresa e vjehrrit, e deri tek urdhrat për të shtënë me armë më 21 janar, pa përmendur studimet e fizibilitetit pa asnjë tender të rrugës Durrës-Kukes apo borxhin faraonik që la gjatë tetë viteve në pushtet partia e tij,  plot 7 miliardë euro (70% e PBB-së më i larti në rajon). Bashës i duket e natyrshme sot ta (ri)drejtojë këtë vend. Edhe ai e konsideron kështu veten si një Monarko-despot të demokracisë për të cilin është krejt e huaj ideja t’i paraqesë popullit një mea culpa qoftë minimale për të pabërat e të kaluarës. Por as Petrit Vasilit të LSI-së nuk i “skuqet faqja” kur garon për kryeministër ndërkohë që ushtroi funksionin e ministrit të drejtësisë së “qeverisë së drogës”.  Edhe ky s’ndjeka asnjë përgjegjësi personale në këtë kapitullim kolektiv?

Alternativa është tani fare thjeshtë. Një ditë para zgjedhjeve, shqiptarët, ose do të vazhdojnë të dëgjojnë orakujt e papërgjeshmërisë si ky Viktor Malaj që na lë dopjo gjashtën në derë “o Edi Ramën, ose pas tij vjen qameti”. Ose alternativa tjetër është shqiptarët ta zbatojnë vetë atë që Edi Rama e premtoi por dështoi: fundin e pandëshkueshmërisë.

“Fuori mascalzoni” ishte një fjali-batutë e paharrueshme në filmin “Lulëkuqet mbi mure”. Nuk ka ndoshta fjali më të goditur për të shprehur atë që ndjejnë shumica e shqiptarëve ndaj kësaj klase politike në tërësi e asaj në fuqi në veçanti. Ndjenjë që nuk e gjen të pasqyruar në sondazhe e blera, por ndjenjë e rrënjosur thellë në ndërgjegjen kolektive e të trazuar të këtij kombi në këto 27 vjet. Çdo katër vjet, politikanët që kanë drejtuar apo që kanë patur drejtuar i kërkojnë pa turp çekun e bardhë të rradhës pa bërë bilancin e të kaluarës.

Kështu do të ndodhë dhe më 2021, po iu dha këtij kryeministri mazhoranca që lyp me ngulm. Ai do të gjejë të tjera justifikime. Dështimin e ardhshëm në sistemin e drejtësisë së “post-vettingut” do t’ia ngjisë me siguri parashkrimit, kjo fjalë magjike për kriminelët, e cila në kodin penal i fshin krimet si me gomë me kalimin e viteve. “Këta s’janë socialista” thoshte, ndjesë pastë, Pjetër Arbnori, “këta janë specialista”.  Një gjë e sigurt do të ndodhë me Ramën, po i mori ato 71 vende në parlament: një kokë më e “madhe”, më arrogante, më despote. Ai e kishte tashmë një “festë” të tillë kur mori 64 vende në kuvend më 2013. Në atë pikë sa s’dëgjonte njeri kur i thoshin se po të kanabizohet atdheu nga mafia, se po të ikin shqiptarët jashtë si në kohë lufte, se po jep koncesione pa hesap pa anuluar ende ato të kaluarat siç e premtoi. E imagjinon dot kush gjendjen e euforisë “autiste” që do ta përfshijë Ramen po t’i besohet këtë të dielë mazhoranca  absolute, ose e thënë ndryshe, edhe guri edhe arra? Me vjen keq, kryeministër dhe miku im i vjetër. Nuk je më i besueshëm. Nuk e kalon më klasën. Ti meriton bojkotin ashtu si të gjithë homologët e tu të partive konkurrente. Rikthehu një herë në “bazë”. Jeta e thjeshtë e njerëzve me halle të cilëve nuk dite t’ua zgjidhësh, vetëm mirë mund të të bëjë.

E vetmja votë e dobishme kësaj here është: Bojkoti

Viktor Malaj shkruante në replikën që më bënte dje se bojkoti nuk është zgjidhje, është një rrugë pa krye, një shtet ka nevojë patjetër për një qeveri etj, etj.

Bojkoti për këtë autor, ka kuptim në vendet perëndimore, por jo “në Shqipëri e cila ndodhet në faza të tjera të pjekurisë…”. Domethënë, francezëve të cilëve u erdhi këto 30 vjet në maj të hundës me Miterrandin, Shirakun, Sarkozinë dhe Hollandin, – që fundi fundit nuk vranë njeri dhe nuk vodhën si të babëzitur, por “thjesht” s’mbajtën premtimin për punësim masiv – këtyre francezëve u shkoi pra natyrshëm mendja për bojkot masiv (57% abstenim në zgjedhjet e fundit, një rekord historik).

Ndërsa shqiptarët, të cilët në krahasim me politikanët perëndimorë kanë patur politikanë të hurit e të litarit, nuk qenkan aq të pjekur sa të thonë dhe ata “Mjaft” duke i bërë “naftën” zgjedhjeve . Nuk të falënderoj për “komplimentin” që u bën shqiptarëve, zoti Malaj. Vokacioni i bojkotit nuk është ta lërë vendin pa qeveri, por përkundrazi ta shtyjë klasën e kalbur politike të “rithemelohet” nga themelet. Vokacioni i bojkotit, kur ai funksionin siç duhet është të skarcojë të gjithë ata që kanë qenë ministra e kryeministra, domethënë të gjithë ata që kanë ushtruar pushtet. Të jenë të sigurt shqiptarët se po u skarcua Edi Rama, Lulzim Basha dhe Petrit Vasili nuk do të ndodhe aspak qameti. Një jetë e re politike mund të lindë gërmadhash. “Nganjëherë, nuk mjafton të kthehet faqja. Ajo duhet grisur fare” thoshte shkrimtari belg që citova në krye të këtij shkrimi. Këtë mund të bëjë bojkoti i 25 qershorit.

Dëbimin e një klase politike drejtuese të paaftë. Të nesërmen e revolucionit të bojkotit, Partia Socialiste, ashtu si Partia Demokratike, ashtu si LSI-ja, do të jenë totalisht të afta e të pjekura t’i largojnë si dështakë drejtuesit zyrtarë Rama-Basha-Vasili. Partitë të largojnë përgjegjësit e dështimeve dhe të riparaqiten në zgjedhje me fytyra dhe programe të reja. Mbase dhe ato “fytyra të reja” do të na zhgënjejnë, por aty qëndron gjenialiteti i vërtetë demokracisë. Siç thoshte politikani amerikan Klod Pepper, “në demokraci kemi të drejtën të gabohemi”. Dhe këtë shans që nuk e njohin regjimet despotike, na e japin zgjedhjet e lira çdo katër vjet.

Bojkoti nuk është për Ramën dhe konkurrentët e tij. Bojkoti është për sistemin politik aktual që është kapur pikërisht peng nga këta despotë të demokracisë, që kur hipin një herë në pushtet as që e imagjinojnë të zbresin edhe sikur i gjithë vendi të jetë boshatisur në emigracion prej politikave të tyre dështakë. Bojkoti nuk do ta lërë vendin pa qeveri por përkundrazi, ai do të sjellë një qeveri më të mirë, ku s’mund të ketë më vend pas bojkotit për as një ish-ministër a ish-kryeministër sepse populli jua ka nxjerrë kolektivisht kartonin e kuq. Bojkoti do të shkaktojë një tërmet e katarsis të vërtetë brenda politikës që nuk do të durojnë më të marrin urdhra nga një Ramë e Bashë të diskredituar. Po ashtu LSI-ja do të duhet t’i bëjë vend në krye të saj një përfaqësuesi që s’ka qenë kurrë më parë ministër. Bojkoti do të sjellë një reformë të vërtetë zgjedhore, pasi askush nuk do t’i durojë më kërcënimet e Ilir Metës president për mosnjohje të zgjedhjeve apo shantazhet e Gramoz Ruçit për shkarkim të presidentit sikur të bëhej fjala për një president klubi. E së fundi bojkoti do të sjellë programe të mirëfillta ekonomike dhe sociale, në shëndetësi dhe arsim, në mbrojtjen e ambientit dhe të pronës publike. Bojkoti do të jetë fillimi i ndërgjegjësimit për një Republikë vërtetë të re. Bojkoti do të jetë operacioni fshesa për mbarë aktorët e Republikës së vjetër e cila nisi më 1991 mbi altarin e premtimit të pambajtur të Sali Berishës dhe të atyre që e pasuan, për një Shqipëri si Europa. Kjo fushatë na shpalosi një Shqipëri si bota e tretë. Shqiptarë, më 25 qershor, votoni për të vetmen parti që ndoshta nuk do t’ju sjellë prosperitetin por do t’ju riktheje dinjitetin: votoni masivisht për Bojkotin duke kaluar një të diel të këndshme me miqtë dhe të afërmit, larg tallazit të politikës që ju tall dhe ju përbuz.

OPINIONE

INTERVISTA