Bota

Diskriminim edhe donerit: Qebapet e turqve mund të ndalohen në Evropë

Qebapi së shpejti mund të zhduket nga restorantet dhe shitësit e ushqimit në rrugë, sepse është i bërë nga mish që përmban fosfate të cilat mund të jenë potencialisht të rrezikshme për shëndetin e njeriut, sipas raportimeve.

Qebapi doner, një nga ushqimet më popullore dhe më të përballueshme nga xhepi në Evropë, së shpejti mund të ndalohet, njoftoi media gjermane.

Çështja është ngritur pas propozimit të Komisionit Evropian për të lejuar përdorimin e fosfateve në mishin e qengjit dhe vicit që shitet në supermarkete.

Komiteti Shëndetësor i Parlamentit Europian votoi kundër nismës, duke shpjeguar vendimin e saj përmes hulumtimeve që zbuluan një lidhje midis konsumit të ushqimit me fosfate dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Nëse shumica absolute mbështet vendimin e komisionit gjatë seancës së ardhshme të Parlamentit Europian, i cili do të mbahet nga 11 dhjetori deri më 14 dhjetor, projektligji do ti kthehet automatikisht Komisionit Evropian për rishikim, kështu që shitja e qebabit do jetë në rrezik për tu ndaluar me ligj.

Lajmi ka nxitur diskutime në mesin e përdoruesve të internetit.

Disa përdorues në Twitter e mbështetën iniciativën.

Unë jam për ndalimin e donerëve. Nuk janë të mirë. Nuk dua të ha diçka të tillë.

Si ka mundësi që shqetësohen kaq shumë për shkak të ndalimit të mundshëm të qebapit dhe askush nuk mërzitet për sasinë e fosfatit që konsumon.

Shumë të tjerët reaguan ndaj lajmit me humor:

Unë tashmë po e imagjinoj një proteste qebapi. Doneri është nën kërcënimin e ndalimit.

Nëse gjermanët ndalojnë qebapin, unë ndoshta do të vdes nga të qeshurit.

BE ndalon qebabin! Mos po dëshironi që BE të vdesë urije apo çfarë?

Në rast të një ndalimi, unë do bëj të njëjtën gjë si me llambat: do bëj furnizim me qebap edhe për vitet e ardhshme.

Disa propozuan që të diskutoheshin çështje “më të rëndësishme”:

Ky është një vendim individual se cfarë dëshiron të hash dhe çfarë nuk do. Ndalimi i qebabit është një debat i pakuptimtë, megjithëse qebapi nuk është i shendetshëm gjithsesi! Pse të mos diskutoni tema më të rëndësishme?

Siç njoftoi gazeta Metro, shitësit e qebapëve po ankohen për “diskriminimin e donerit”, duke akuzuar autoritetet e BE-së për pengim të qëllimshëm ndaj biznesit turk.

Në të njëjtën kohë, gazeta Bild ka specifikuar se ndalimi i fosfateve do të ndikojë vetëm në shitësit e qebapëve që përdorin mish të ngrirë.

Fosfatet thuhet se janë shtuar në qebapë për ta bërë mishin më të butë dhe me më shumë shije./sputnik/Gazeta Impakt