Do të “pushkatojë” dezertorët, Boçi: Rama po bën terror psikologjik. Nuk shpëton nga Zgjedhjet

“Masa e propozuar tejkalon “realitetin” që ai ka vizatuar dhe nuk lidhet me detyrimet që i lindin një qeverisje në raste të tilla dhe nuk përputhet as me pritshmërinë e qytetarëve”.

Kështu shprehet ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, i pyetur me për ashpërsimin e masave ndaj personave që thyejnë karantinën, që për qeverinë do të shkojë deri në 15 vite burg. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ai thekson ndër të tjera se çdo veprim i Ramës dhe deklaratë e tij sheh nga zgjedhjet politike dhe jo nga zgjidhjet jetësore të njerëzve.

Për mësimin online e për më tepër për maturantët, ish-deputeti thekson se Ministria ende nuk ka një përfundim të saktë për provimet e tyre dhe as për vazhdimin.

“Është shpërndarë një parashikim nga dje, për rifillim në klasa me disa rregulla sigurie, me zbutjen e masave, për nxënësit e klasës së nëntë dhe maturantët. Kjo nuk është strategji. Është një taktikë bajate për të bërë gjoja sikur po punohet. Por kjo krijon akoma më shumë pasiguri dhe alarm tek maturantët, prindërit, mësuesit pasi ka shumë elementë kompleksë që duhen konsideruar”, shprehet ish-deputeti.

PS-ja synon të votojë më 16 prill ndryshime në Kodin Penal për ashpërsimin e masave ndaj personave që thyejnë karantinën, që shkon deri në 15 vite burg. Si e shikoni ju, që sa herë që kjo qeveri bën ndryshime, përmendet fjala burg? Mendoni se kryeministri Rama mund të nxisë trazira sociale me këtë vendim?

Ka një lidhje dihotomike midis fjalëve regjim dhe burg dhe së bashku ato kanë një udhëtim e bashkëjetesë të pandarë të gjatë. Rama ka kohë që e ka shndërruar qeverisjen e shtetit në një regjim të pushtetit të tij okult kriminal dhe oligarkik. Në vendet si Shqipëria, me një traditë të pasur diktatoriale, ku sundimi dhe nënshtrimi janë motorë lëvizës të politikës dhe të marrëdhënies sociale, është shumë e lehtë të kapërcesh linjën demokratike dhe ligjore. Aq me tepër me një pushtet të korruptuar deri në palcë, i cili ka nevojë jetike për t’u mbrojtur dhe për t’u ruajtur, burgu për të tjerët shihet si rrugë e bukur shpëtimi për sunduesit. Prandaj dhe Rama gjithnjë e më shumë në vendimet e tij i referohet penalizimit me burg. Është diçka që buron nga instinkti vetëmbrojtës, të cilën ia imponon atij të sunduarit që ai kërkon të instalojë. Shto këtu dhe dozat e urrejtjes patologjike ndaj njerëzve që atij i vijnë nga dy burime: nga arketipi politik që gjithmonë është mbështetur mbi dhunën dhe nga profili jo stabël dhe problematik psikologjik që ai ka me masën në tërësi.

Në rastin konkret të kërkesës së tij drejtuar parlamentit me një këmbë në varr, ka një paradoks shumë të dukshëm. Në një krah ai lëshon deklarata për fitore, nxjerr pamje propagandistike për respektim të masave nga qytetarët, paralajmëron lehtësime për shkak të “suksesit” dhe në krahun tjetër propozon një masë burgimi, e cila nuk përputhet me atë çka ai ka paraqitur. Masa e propozuar tejkalon “realitetin” që ai ka vizatuar dhe nuk lidhet me detyrimet që i lindin një qeverisje në raste të tilla dhe nuk përputhet as me pritshmërinë e qytetarëve. Madje nuk ka asnjë koherencë brenda veprimeve të tij. Ka një shfazim vendimesh që kërkon vëmendje, pasi është po kjo qeveri e cila realizoi lirime të disa të dënuarve për shkak të mbingarkesës në burgje në një situatë të tillë dhe është po kjo që kërkon të rimbushë dingas burgjet, me një akuzë që bie ndesh me shumë parime e të drejta. Dhe kjo nuk është një shkarje e të shkarit.

Kjo është një strategji terrori psikologjik që Rama kërkon ta mbjellë për të larguar vëmendjen nga moskryerja e detyrave shtetërore për kujdesin ndaj jetës sociale e ekonomike në tërësi. Në vend që parlamenti të merret me vendime terrori, duhet ti diktojë Ramës kryerjen e testeve masive që kërkohet me forcë nga të gjithë organizmat shëndetësorë botërorë dhe është pjesë e domosdoshme e protokolleve të sigurisë shëndetësore. Sikurse duhet t’i kërkojë masa ekonomike reale dhe efektive që i vijnë në ndihmë familjeve shqiptare dhe biznesit në tërësi. Rama ka kohë që ka dalë nga fusha e trajtimit të koronavirusit dhe i është përkushtuar tërësisht trajtimit të koronapolitikës. Në këtë pikë nuk duhet të ketë iluzione. Rama, brenda oshilacioneve të forta jo normale, është një mendje e strukturuar diabolike-politike dhe nuk ka vend për neglizhim.

Çdo veprim i tij dhe deklaratë e tij sheh nga zgjedhjet politike dhe jo nga zgjidhjet jetësore të njerëzve. E kam fjalën dhe për deklaratat e fundit për biznesin, si rikthim në tezat e majta, sikurse gjoja ndihmat që shpërndajnë kasnecët e tij kryetarë bashkish të emëruar. Rama shfaqet shumë i kthjellët në pragmatizmin, aventurën dhe arrivizmin politik. Ai i referohet target-grupeve të caktuara, me qëllim rrëmbimin e mbështetjes politike e votës. Jo më kot çon qese mashtrimi pa vlerë e bën show tek pensionistët, të cilët janë sot pjesa dërmuese e popullsisë votuese si brez. Jo më kot ndërmerr dhe iniciativa të tilla. Nga një anë kërkon të paraqitet si “i fortë” që ai gjoja bën shtet (i thënçin), pasi në psikikën e një pjese të mirë të popullsisë shteti identifikohet me burgun dhe jo me përkujdesin, shërbimin, ndihmën financiare e shëndetësore. Nga ana tjetër ai po kërkon të mbushë vëmendjen e ekraneve dhe i siguron njëkohësisht vetes një kurth të bukur ndaj çdo qëndrimi opozitar, për t’i akuzuar më pas që ata kundërshtojnë se duan dështimin e masave.

Jo më kot përdor fjalor lufte, nxjerr tanke, ushtri, kërkon të “pushkatojë” me 15 vite burg dezertorët e karantinimit, në vend që të përdorë fjalor mjekësor si tampon, teste, vaksinë, kurim dhe të nxjerrë vendime të arsyeshme për ekonominë e vendit. Prandaj vendimi i tij duket shqetësues për atë çka ai do të prodhojë si mentalitet dhe si efekt, pasi dhe kundërshtia qytetare është krejt e natyrshme në të tillë rast. Vendimi tregon që loja e pisët e Ramës dhe abuzimi politik i pushtetit të tij, po merr përmasa kritike dhe duhet me i vënë domosdo fre. Ai dhe duhet qesharakëzuar, siç kanë bërë disa dhe duhet sfiduar, siç kanë bërë disa të tjerë, por mbi të gjitha duhet kompensuar me mekanizma opozitarë efektivë, për t’i dalë përpara një të keqe më të madhe se Covid-19, që është e mishëruar në filozofinë dhe mënyrën e sundimit që ai po aplikon mbi shqiptarë, i favorizuar dhe nga situata problematike.

Edhe pse nuk është koha tani por nëse kryeministri thotë se nuk do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare të radhës, me justifikimin se “vijon pandemia e Covid-19”, çfarë do bëjë opozita? I druheni një skenari të tillë?

Për një mendje normale kjo nuk mund të ndodhë por jetojmë në kohërat e marrëzisë dhe vendi drejtohet nga marrëzia. Frika më e madhe e Ramës sot nuk është pandemia sepse ai ka treguar që nuk ia ndjen për fatin e njerëzve të thjeshtë. Frika më e madhe e tij është humbja e pushtetit. Çdo gjë ai e investon në këtë pikë. Dhe masat drakoniane absurde të dënimeve apo dhe të tjera sipas lojës dam, hap e mbyll, i shërbejnë ruajtjes së privilegjit të tij sundues.

Ai kërkon të transmetojë në publik një gjendje paniku universale brenda së cilës të vetmit të qetë janë ai, enturazhi i tij dhe oborri i marrëzisë që e rrethon. Ndërsa shumë vende po ndërtojnë një strategji hapjeje të jetës Rama po ndërton një kaos të qëllimshëm me vendime që logjikisht nuk përputhen dhe ndërkohë vazhdon të mbajë të mbyllur viston e testimit masiv si çelësin kryesor të leximit të situatës në vend.

Në këtë linjë të arsyetimit nuk është e çuditshme që mendja e tij të pjellë dhe këtë skenar për t’i shpëtuar penalizimit politik. Por sido ta vërtisë dhe ta sjellë ai situatën, me korona, pa korona, zgjedhjet politike do të mbahen në kohën që ato do thirren. Kjo jo se thjesht e do opozita, por sepse koha ka treguar që shumë zgjidhje të arsyeshme përfshi dhe menaxhimin e kësaj situate qëndrojnë pas zgjidhjes politike të bërë akoma më shumë domosdoshmëri me të keqen që na ka pushtuar dhe që ka ndërgjegjësuar akoma më shumë njerëzit se ajo nuk është e keqja e vetme dhe ndoshta dhe më e madhja.

Si kurrë më parë, mësimi po jepet online, kjo përmes RTSH dhe internetit. Por jo të gjithë i kanë mundësitë. Për ju, çfarë duhet bërë më mirë në këtë kohë të mbetur? Do të ishte më mirë një rifreskim i njohurive sesa të vijohej me programin sikur nxënësit apo studentët në ishin në shkollë, auditor?

Mësimi nëpërmjet RTSH-së nuk është një risi. Është aplikuar në Shqipëri që në 1987 me mësimin e gjuhës angleze dhe është një formë jo adekuate për kohën e sotme dhe për standardet pedagogjike. Këtu nëse ka një meritë, këtë e ka vetë RTSH-ja, e cila ka përmbushur një detyrim ligjor, sipas të cilit një prej kanaleve të saj duhet t’i dedikohet shkollës dhe edukimit. Përmbajtja pastaj është sipas situatave dhe kërkesave, por kurrsesi orët mësimore në TV nuk mund të jenë ekuivalente me ato që mund të zhvillohen në distancë (online) e aq më tepër me ato që zhvillohen në klasë.

Është fatale dhe e dhimbshme të dëgjosh ministren e arsimit të deklarojë që transmetimi në TV apo youtube është forma kryesore e mësimdhënies. Ndërsa të mësuarit në distancë po vazhdon në mënyrë kaotike, tërësisht formale, me rezultat fiktiv dhe të pamatshëm, për shkak të mungesës së një, ose disa platformave për nivelet e ndryshme të sistemit arsimor. Mësuesit dhe nxënësit u gjendën të papërgatitur dhe të paorientuar megjithëse miliona euro janë investuar në drejtim të futjes së inovacionit në mësimdhënie. Që nga 2015 Rama premtonte me bujë për realizimin e laboratorëve e klasave digjitale, ndërsa pandemia nxori sheshit se premtimet e tij dhe lekët e hedhura kanë ikur në drejtime xhepash e interesash. Gjithashtu shumë fëmijë nuk e kanë mundësinë e mjetit teknologjik të avancuar e aksesit në internet për shkak të gjendjes ekonomike, sikurse dhe shumë mësuesë nuk munden në këtë pikë.

Për mendimin tim ministria duhet të kishte hartuar një strategji të saktë, si vendimmarrje serioze institucionale në konsultim me specialistët e didaktikës dhe të IT, për ciklet e ndryshme të arsimit, gjë që nuk e ka bërë akoma. Mos harrojmë që ministrja flet gjithmonë kuturu në përgjithësi pa ditur që çdo arsim ka specifikat e tij. Arsimi fillor ndryshon shumë nga ai nëntëvjeçar, apo ai i mesëm. Transmetimi dhe komunikimi online është si i tillë krejt i ndryshëm për kategoritë e ndryshme të nxënësve. Ministria me ministren me deklaratat e saj, vazhdojnë të mos jenë të qartë për formën e vazhdimit dhe finalizimit të viti shkollor dhe akademik, online apo në klasa së afërmi dhe kjo ka krijuar një neglizhim real të komunikimit online.

Ministria duhet të ishte e gatshme për të dy skenarët. Për vazhdimin online duhet të kishte bërë një ndërhyrje të domosdoshme, të pjesshme në programet dhe në kurrikula, sipas cikleve. Gjë që mund ta bëjë dhe tani megjithëse koha ka fluturuar. Ndërsa për vazhdimin në klasa duhet të ishte shumë e qartë në objektivat dhe gjetjen e formës së përshtatshme të transmetimit të njohurive. Përsëritje apo tema të reja, kjo duhet ti lihet si opsion zgjedhje shkollave dhe klasave që variojnë sipas niveleve dhe pas një feedback-u për gjendjen e dijes së përvetësuar. Situata nuk mbulohet me video-selfiet e ministres që drejtuesit militantë jua kërkojnë me zor mësuesve t’i bëjnë share në fcb. Situata kërkon qartësi dhe vendimmarrje efektive pasi angazhimin e mësuesve dhe të nxënësve e familjeve të tyre e kanë plotësisht në dispozicion.

Për provimet e Maturës Shtetërore, ministrja Shahini ka thënë se e vetmja arsye që do të bënte të mos mbaheshin është nëse qëndrojmë të izoluar deri në qershor apo korrik. Maturantët janë të shqetësuar dhe theksojnë se matematika nuk kuptohet me një mesazh zanor. Keni dijeni nëse maturantëve ju është dhënë një zgjidhje nëse nuk do të zhvillohen këto provime, do të ketë një moment të dytë?

Situata e izolimit nuk është ende e qartë, por ministrja me kërkesat e Ramës për të dënuar me burgim shkelësit e karantinës, që mund të jenë dhe nxënës, besoj është e njohur dhe besoj i bën ca deduksione. Së paku për kohën. Megjithatë gjykoj se shqetësimet e maturantëve janë pasqyrë e inefektivitetit të optimizmit fals dhe kaotizmit real që ka mbjellë Shahini, me mënyrën si e ka orientuar e menaxhuar mësimin online. Maturantët kanë plotësisht të drejtë, pasi asnjëherë nuk u ngrit një grup pune dhe të kishte masa të posaçme për mbarëvajtjen e procesit mësimdhënës online me ta.

Ministria ende nuk ka një përfundim të saktë për provimet e tyre dhe as për vazhdimin. Është shpërndarë një parashikim nga dje, për rifillim në klasa me disa rregulla sigurie, me zbutjen e masave, për nxënësit e klasës së nëntë dhe maturantët. Kjo nuk është strategji. Është një taktikë bajate për të bërë gjoja sikur po punohet. Por kjo krijon akoma më shumë pasiguri dhe alarm tek maturantët, prindërit, mësuesit pasi ka shumë elementë kompleksë që duhen konsideruar. Mjafton që në një krah u qëndron mbi kokë si shpata e Demokleut, dënimi me 15 vite burg që vetë Besa e ka votuar në mbledhje qeverie, për shkelje të karantinës dhe nga krahu tjetër pasiguria e madhe për provimet që Besa nuk ia bën aspak të qartë, por njëherë i deklarohet ndryshe, njëherë tjetër ndryshe.

Ndoshta është koha dhe momenti që të merret në konsideratë modeli anglez i vendimmarrjes për maturën dhe provimet e lirimit, së paku meqenëse pararendësja e saj shpesh në mënyrë butaforike suksesin e saj imagjinar e mbështeste në referimin ndaj këtij modeli./Koha Jonë/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne