Dokumenti/ 281 milionë euro për 31 km rrugë, zbulohet PPP-ja e radhës e qeverisë

Projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtja 13-vjeçare për rrugët Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat do të kushtojë rreth 281 milion euro.

Televizioni SCAN ka zbardhur kontratat e partneritetit publik-privat për 2 veprat e mësipërme, të cilat tashmë janë miratuar në qeveri.

Sipas relacionit shpjegues për Milot-Balldren, pas negocimit të kontratës, vlera totale e projektit e dakortësuar ndërmjet palëve është 213,665,040  euro, pa TVSH. Ndërkohë që, kompania ANK Shpk, që do të zbatojë punimet u shpall fituese e projektit me vlerën prej 161.5 milion euro.

Struktura e financimit për këtë vepër parashikon marrjen e një huaje bankare prej 70,000,000 euro, e cila do të merret nga një ose më shumë institucione financiare dhe do të përdoret tërësisht për të shlyer detyrimet që lidhen me ndërtimin e këtij aksi rrugor.

Financimi nga furnitorët do të jetë në vlerën 19,500,000 euro, ndërkohë shoqëria do të investojë nga kapitali i saj shumën prej 52,000,000 euro. Sipas propozimit të rishikuar financiar, norma e interesit e llogaritur për gjitha burimet e financimit të përcaktuara më sipër është 5%.

Në kontratën e propozuar për miratim përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 17.263 km, e cila shtrihet përgjatë aksit të rrugës ekzistuese që lidh Milotin me qytetin e Lezhës dhe devijohet si rrugë plotësisht e re, nga nyja e qytetit të Lezhës deri në Balldren, ku më pas lidhet me rrugën ekzistuese në drejtim të Shkodrës.

Ndërkaq, për aksin Orikum-Dukat,e fituar nga kompania “Gjikuria” me ofertë prej 50.5 milion euro, do të investohet nga kapitali i shoqërisë shuma prej 21 771 548 euro. Struktura e financimit përfshin një hua bankare prej 25 585 166 euro, e cila gjithashtu do të merret nga një ose më shumë institucione financiare.

Pagesat vjetore nga buxheti i shtetit, që do të fillojnë në vitin e dytë të projektit, do të jenë 2 113 000 euro dhe  deri në vitin  e trembëdhjetë me 1 896 171 euro.

Gjatësinë e rrugës së propozuar në këtë kontratë është 14.7 km. Ajo që bie në sy në të dy kontratat e nënshkruar është fakti se përveç kompanisë koncesionare, Gjikuria dhe ANK SHPK, janë krijuar edhe shoqërisë aksionere, përkatësisht “Rruga Orikum-Llogara” dhe “Bardh Konstruksion”, të cilat janë palë në kontratat e nënshkruara me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkaq, sipas legjislacionit të ri, 2 dokumentet e miratuara në qeveri do të duhet të marrin edhe miratimin e parlamentit përpara se të hyjnë në fuqi./SKAN

28-maj-orikum-dukat-OK-1024x576

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne