“Dridhen” organet e drejtësisë/ Gjyqtarë dhe prokurorë drejt prangave?!

Nuk ka qetësi për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Teksa procesi i vetingut ka nisur vrullshëm dhe shumë prej njerëzve të drejtësisë që kanë rezultuar me probleme sa i takon pasurisë janë shkarkuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka thelluar hetimet për gjyqtarët dhe prokurorë që pritet ti nënshtrohen procesit. Kjo do të thotë se kushdo që është i përfshirë në afera, nuk do t’i shpëtojë “darëve” të ligjit. Sipas një raporti të siguruar nga gazeta, që KPK i drejton Kuvendit, thuhet se komisioni po bashkëpunon me 36 institucione ligjzbatuese të vendit, me qëllim zbulimin e pasurive të fshehura të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. KPK thekson në raport se një shkresë dalëse me anë të së cilës kërkohet informacion, dërgohet në 36 drejtime të ndryshme (ku përfshihen bankat, degët e tatimeve, zyrat vendore të regjistrimeve të pasurive të paluajtshme, ILDKPKI, Prokuroritë, degët e ALUIZNI-it etj.) Po ashtu, në raport bëhet e ditur se vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 numri rendor i protokollimeve ka arritur mbi 5 mijë. “Vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 numri rendor i protokollimeve ka arritur mbi 5 mijë. Duhet theksuar se një shkresë dalëse me anë të së cilës kërkohet informacion, dërgohet në 36 drejtime të ndryshme (ku përfshihen bankat, degët e tatimeve, zyrat vendore të regjistrimeve të paluajtshme, ILDKPKI, Prokuroritë, degët e ALUIZNI-it etj.) Sipas kërkesave të dërgimit postar, në çdo zarf duhet të shënohet adresa e marrësit dhe të plotësohet fleta e lajmërim-marrjes, për të vërtetuar marrjen në dorëzim të tij. Këto kërkesa kanë bërë që specialisti i protokollit të punoje pothuajse përditë mbi orarin zyrtar të punës, madje edhe ditët e shtuna apo të pushimeve zyrtare. Në shume raste specialisti është ndihmuar nga punonjës të tjerë të Komisionit, të cilët kanë krijuar vakum në punën e tyre të përditshme”, thuhet në dokument.

KPK kërkon shtim personeli

Në shkresën e saj drejtuar Kuvendit, KPK thotë se duke parë ngarkesën e madhe dhe voluminoze në mbulimin e dosjeve të subjekteve të rivlerësimit, kërkon shtesë personeli në këtë institucion. Në kërkesë thuhet se organika ka në përbërje 12 këshilltarë juristë dhe 4 këshilltarë ekonomistë. Pas shpërndarjes së çështjeve në trupat gjykuese, një këshilltar ekonomik duhet të punojë njëkohësisht me 3 këshilltarë juristë për tri çështje të ndryshme, pra, të mbuloje 3-fishin e punës së këtyre të fundit. Ndaj KPK thotë se për shkak të ngarkesës së dosjeve, si dhe kohën e limituar që ka institucioni për realizimin e misionit, objektivave dhe detyrave të caktuara nga Kushtetuta, e vlerëson si tepër të rëndësishme rritjen e numrit të personelit me: 8 këshilltarë ekonomistë, duke e çuar numrin e tyre në 12 këshilltarë ekonomistë. “Duke parë ngarkesën e madhe dhe voluminoze në mbulimin e dosjeve të subjekteve të rivlerësimit, kohën e limituar që ka institucioni ynë për realizimin e misionit, objektivave dhe detyrave të caktuara nga Kushtetuta, e vlerësojmë si tepër të rëndësishme rritjen e numrit të personelit me: 8 këshilltarë ekonomistë, duke e çuar numrin e tyre në 12 këshilltarë ekonomistë. Gjithashtu, në përbërjen e institucionit sot punojnë vetëm 3 përkthyes, të cilët duhet të sigurojnë realizimin e një numri të madh faqesh përkthimi brenda një kohe të shkurtër dhe me cilësi të lartë, kërkesa këto të diktuara nga natyra e veprimtarisë së Komisionit”, thuhet ndër të tjera në dokument.

KPA kërkon rritje rroge

Interesant është fakti se përveç Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkresë Kuvendit i ka dërguar edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Në shkresën e tij dërguar Komisionit të Ligjeve për ndryshim pagash, KPA kërkon ndryshim për tre specialistë të sekretarisë gjyqësore nga niveli IV-a në nivelin III-b dhe tre specialistë të profileve të ndryshme nga niveli IV-b në nivelin III-b. Efekti financiar i këtij ndryshimi thotë Kolegji është 1,6 milionë lekë. “Bazuar në këtë përcaktim, kërkesa për riklasifikim të pagës se specialistit është në analogji me trajtimin e pagesë se punonjësit specialist të Gjykatës Kushtetuese. Efekti financiar i këtij ndryshimi është 1,6 milionë lekë (përkatësisht 1,3 milionë lekë paga dhe 0,3 milionë lekë sigurime shoqërore). Ky efekt mund të përballohet me fondin e lirë të krijuar për shkak të mosplotësimit që në fillim të vitit, të strukturës se Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Bashkëlidhur lutem gjeni propozimin për ndryshim në nivelin e pagës së specialistit”, thuhet në shkresë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne