Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se tërmeti i 21 shtatorit ishte më i fuqishmi i 40 viteve të fundit. Ministrja tha se qeveria mori masa urgjente për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur.
Më tej, ministrja solli në vëmendje një rast të një familjeje nga Ndroqi, që tërmeti i kishte shkatërruar banesën, duke bërë thirrjen e fortë se duhet çrrënjosur varfëria në vend.
“Dielli nuk mund të mbulohet me asnjë lloj shoshi. Nuk kam si ta harroj Lulzimin, kryefamiljarin e një familjeje nga Ndroqi, që fliste me krenari për vajzën e tij ekselente, në shtëpinë e rrënuar. Ata ndiheshin të izoluar dhe të pamundur.
Është detyra jonë të bëjmë diferencën e madhe për të çrrënjosur varfërinë, që në raste të tilla si tërmeti, del me gjithë forcën e saj tronditëse. Ne kemi një prapambetje të trashëguar, që duhet luftuar me themel. Përveç solidaritet në tërmet, ne duhet të kthejmë sytë nga varfëria ekstreme për ta luftuar atë deri në qelizë”, deklaroi ministrja./balkanweb