E majta e Albin Kurtit nis organizimin në Tiranë, denoncon pakicën e luksit

Nga Tirana ku mori pjesë në çeljen e Qendrës së Lëvizjes Vetëvevendosje në Shqipëri, kreu i saj Albin Kurti shpalli publikisht ambicjen e kësaj lëvizje për t’u shtrirë politikisht në gjithë hapësirën shqiptare. Ai dha konsiderata mbi situatën politike në Shqipëri, duke parashtruar edhe zgjidhjet.

“Populli shqiptar ndodhet ndërmjet dy zjarreve, ndërmjet dy pabarazive: pabarazisë së jashtme me popujt tjerë dhe pabarazisë së brendshme te vetja. Këto dy pabarazi e ndihmojnë njëra-tjetrën. Barazi me kombet e tjetra, por edhe barazi brenda kombit tonë. Nuk ka ardhmëri nëse shumica e shqiptarëve e kanë mbijetesën luks ndërkaq pakica e ka luksin normalitet. Siç ka thënë rilindasi ynë Sami Frashëri: ‘Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë.’” – deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për tezën e bashkimit Kombëtar duke sulmuar qëndrimet e elitave politike sot në Shqipëri e Kosovë, duke nënkuptuar qëndrimet e Ramës e Thaçit.

“Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Është gabim të përdoret bashkimi kombëtar për ta frikësuar Bashkimin Evropian. Mënyra e tillë na lë edhe pa bashkim kombëtar, edhe pa Bashkim Evropian. E neve na nevojiten të dyja, pra, edhe bashkimi kombëtar, edhe Bashkimi Evropian. Shqiptarët janë fuqi rajonale. Ne duhet ta pranojmë këtë fakt, ashtu qysh po e pranojnë fqinjtë tanë. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci- Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë.”- shtoi kreu i Vetevendosjes.

Ndërsa drejtori i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Shqipëri, Boiken Abazi tha se eksporti më i madh i këtij sistemi janë vetë shqiptarët. “Sigurisht që zgjidhjet nuk arrihen lehtë, por ato janë këtu mes nesh, dhe presin. Presin që ne t’i njohim e t’i marrim përsipër. Presin angazhimin tonë, përkushtimin tonë, sakrificat tona, organizimin që i nxjerr ato në dritë e që i sjell ato në jetë. Ky organizim tashmë ka nisur …”. Në këtë aktivitet folën edhe aktivistë të Lëvizjes në Tiranë që pranuan se Vetëvendosje ishte iniciatore protestave të studentëve në dhjetor.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe anëtarë kryesie, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria mori pjesë Ministri Pandeli Majko, edhe si ish kryeministër në kohën e luftës dhe çlirimit të Kosovës./respublica

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne