E majta italiane kundër marrëveshjes Rama-Meloni: Jo një “Guantanamo” në Shqipëri

Kanë qenë të shumta reagimet edhe në Itali për marrëveshjen që kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni firmosën sot për emigrantët në Romë. Në bazë të saj vendi do të presë rreth 36 mijë refugjatë në vit nga Afrika në 2 kampe që do të ngrihen në Shëngjin dhe Gjadër. Nëse e djathta italiane ka përshëndetur këtë dakordësi, ndryshe ka qenë reagimi i të majtëve në opozitë.

“Marrëveshja që qeveria “Meloni” ka arritur me qeverinë shqiptare duket të jetë një rrëmujë e rrezikshme, shumë e paqartë” – thotë Pierfrancesco Majorino, kreu i Politikave të Migracionit në Sekretariatin e Partisë Demokratike. “Nuk është e qartë se si mund të menaxhohet çdo apel për ndihmë dhe aq më pak se si mund të ndodhin riatdhesimet në mungesë të marrëveshjeve dypalëshe” – shton ai.

“Praktikisht po krijohet një lloj Guantanamo italiane, jashtë çdo standardi ndërkombëtar, jashtë BE-së pa pasur mundësinë e kontrollit të gjendjes së personave të mbyllur në këto qendra”, – proteston Riccardo Magi, sekretar i Più Europa.

Angelo Bonelli i Alenacës së të Gjelbërve thotë se “Ajo që qeveria italiane e ka përcaktuar si një “memorandum shumë të rëndësishëm mirëkuptimi” nuk është gjë tjetër veçse një politikë depërtimi e maskuar si bashkëpunim ndërkombëtar”. Ai thotë se në këtë mënyrë “Italia rrezikon të krijojë kampe të paraburgimit të cilat mund të mos sigurojnë standarde të përshtatshme të pritjes dhe respektimit të dinjitetit njerëzor”.

Ndërsa “Lëvizja 5 Yjet” vë gishtin në kostot të cilat do të përballohen të gjitha nga taksapaguesit italianë. “Marrëveshja me Shqipërinë nuk sjell asnjë avantazh për Italinë dhe në fakt nuk ndryshon asgjë”, thotë eurodeputetja e M5S, Laura Ferrara.

Ndaj këtyre reagimeve është përgjigjur ministri i Jashtëm Antonio Tajani“Marrëveshja forcon rolin tonë udhëheqës në Evropë dhe hap rrugë të reja bashkëpunimi në Adriatik kundër imigrimit të parregullt dhe bllokimi i trafikimit të qenieve njerëzore. Këto janë prioritetet e politikës sonë të jashtme”/Lapsi

“Corriere”: Shqipëria merr emigrantët tanë, por nuk fiton asgjë në këmbim

 

Gazeta italiane “Corriere della Sera” ka publikuar detaje të reja nga marrëveshja që kryeministrat e Shqipërisë dhe Italisë, Rama dhe Meloni firmosën sot në Romë. Drafti bën fjalë për dhënien e juridiksionit italian në 2 qendra që do të ngrihen në Shqipëri për emigrantët që do të shpëtohen në det.

“Pothuajse një lloj protektorati i trengjyrëshit, qëllimi i të cilit është frenimi i trafikimit të qenieve njerëzore” – shkruan gazeta italiane. Marrëveshja sipas saj nuk do të zbatohet për emigrantët që mbërrijnë në brigjet dhe territorin italian, por ekskluzivisht për ata që shpëtohen në det, me përjashtim të të miturve, grave shtatzëna dhe subjekteve vulnerabël.

Strukturat e krijuara në Shqipëri, do të mund të strehojnë gjithsej deri në 3 mijë emigrantë në muaj, për një parashikim prej 39 mijë personash në vit. Qëllimi është që për ta të përfundojnë me shpejtësi procedurat për shqyrtimin e kërkesave për azil apo riatdhesimin e tyre të mundshëm.

“Protokolli u mbyll në thelb gushtin e kaluar (gjatë takimit që dy liderët zhvilluan dhe që u cilësua si një festë e thjeshtë) dhe do të jetë funksional në pranverën e vitit 2024” – shkruan Corriere që më pas citon kryeministren italiane: “Është marrëveshja e parë e këtij lloji, një marrëveshje historike jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Bashkimin Evropian”.

“Ku do të ngrihen strukturat? Në portin e Shëngjinit, porti detar që ndodhet në veri të Shqipërisë, ku do të punohet me procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa në një tjetër zonë më të brendshme (Gjadër. Red.) do të krijohet një strukturë tjetër e bazuar në modelin e Qendrave të Mbajtjes së Riatdhesimit”, – shpjegoi Meloni duke shtuar se forcat e policisë shqiptare do të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë dhe mbikëqyrjen e jashtme të strukturave” –  shkruan gazeta italiane.

Gazeta italiane nënvizon se “sipas asaj që kanë shpjeguar burimet nga Palazzo Chigi, nuk parashikohet asnjë kompensim ekonomik në favor të Shqipërisë. Italia, thonë të njëjtat burime, ka qenë gjithmonë një nga mbështetësit kryesorë të hyrjes së Tiranës në Bashkimin Evropian dhe investon shumë në marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor. Ndërtimi i zonave në portin e Shëngjinit dhe Gjadrit do të jetë përgjegjësi e Italisë” – shkruan ndër të tjera Corriere Della Sera

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress