Egjipt – Bisedime për pajtimin ndërmjet grupeve palestineze dhe armëpushimin në Gazë

Vazhdojnë përpjekjet për pajtim ndërmjet grupeve palestineze.

Azzam al-Ahmad, anëtar i Komitetit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Palestinës (Fatah), ka bërë me dije se propozimit në lidhje me pajtimin palestinez do t’i përgjigjen brenda 24 orëve.

Siç bën të ditur agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, “WAFA”, një delegacion i Lëvizjes Fatah ka biseduar në Kajro me zyrtarë të inteligjencës së Egjiptit për pajtimin palestinez dhe armëpushimin në Gazë.

Kryesues i delegacionit palestinez në këto bisedime, Al-Ahmedi deklaroi se Lëvizja Fatah kërkon që së pari të arrihet pajtimi ndërmjet grupeve palestineze dhe më pas të kalohet në çështjet e armëpushimit, zhvillimit dhe ndihmave humanitare në Gazë. Ai njoftoi se propozimit në lidhje me pajtimin palestinez do t’i përgjigjen brenda 24 orëve.

Duke shpjeguar se të shtunën dhe të dielën kanë realizuar bisedime të ngjeshura në Kajro, Al-Ahmadi theksoi se qeveria egjiptiane, e cila luan rolin e ndërmjetësuesit, e ka informuar delegacionin palestinez rreth pajtimit dhe armëpushimit me Izraelin dhe palët ndërkombëtare.

Zyrtari i Lëvizjes Fatah vuri në pah se e kanë informuar palën egjiptiane në lidhje me hollësitë e disa projekteve që bien ndesh me interesat kombëtare të Palestinës, siç është “hapja e një korridori detar ndërmjet Gazës dhe Qipros (Grek të Jugut), nën mbikëqyrjen e Izraelit”.

Al-Ahmadi tërhoqi vëmendjen gjithashtu se pala egjiptiane i ka komunikuar delegacionit të Lëvizjes Fatah që ata nuk do të pranojnë ndërtimin e një porti detar dhe një aeroporti jashtë territoreve të Palestinës.

Implementimi i marrëveshjes së pajtimit në Palestinë është përballur me disa vështirësi për shkak të divergjencave ndërmjet Fatahut dhe Hamasit. Në krye të këtyre mosmarrëveshjeve renditen dorëzimi i kontrollit të plotë të Gazës qeverisë dhe nëpunësit e emëruar në Gazë gjatë qeverisjes së Hamasit.

Përpara Kurban Bajramit, palët palestineze biseduan me qeverinë egjiptiane për implementimin e pajtimit, armëpushimit dhe projekteve humanitare në Rripin e Gazës./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne