Bota

Ekspertja e OKB-së: Gjykimi saudit mbi vrasjen e Khashoggit, “antitezë e drejtësisë”

Ekspertja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Agnes Callamard, dënoi gjykimet me vdekje të gjykatës saudite për vrasjen e vitit 2018 të gazetarit Jamal Khashoggi në Stamboll pas një gjyqi sekret të cilin ajo e quajti si “antiteza e drejtësisë”.

“Ekzekutuesit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me vdekje. Si kundërshtuese e dënimit me vdekje, kjo është tronditja e parë për mua”, tha Callamard, njëherësh Raportuese e Posaçme e OKB-së për vrasjet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, në një deklaratë.

“Megjithatë, ata që urdhëruan ekzekutimet jo vetëm që ecin të lirë, por as që janë prekur nga hetimi dhe gjykimi. Kjo është tronditja e dytë”, shtoi ajo.

Khashoggi, një kontribues në gazetën The Washington Post, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor 2018.

Ekspertja e OKB-së e përshkroi procesin ligjor për vrasjen e Khashoggit si “antiteza e drejtësisë dhe një mungesë e papranueshme respekti për viktimat”.

Ajo tha se sipas ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, vrasja e Khashoggit ishte një ekzekutim jashtëgjyqësor për të cilin Arabia Saudite duhet të mbahet përgjegjëse.

“Ky rast kërkon një hetim në zinxhirin e komandës për të identifikuar planifikuesit, si dhe ata që e nxitën, e lejuan ose e shpërfillën vrasjen, siç është Princi i Kurorës”, tha Callamard.

Ajo vuri në dukje se gjyqi dështoi të marrë parasysh përgjegjësitë e shtetit.

“18 zyrtarët sauditë, të pranishëm në Konsullatën Saudite në Stamboll për më shumë se dhjetë ditë, pastruan skenën e krimit. Ky është pengim i drejtësisë dhe shkelje e Protokollit të Minesotas për hetimin e vrasjeve arbitrare”, tha ekspertja e OKB-së.

Callimard tha gjithashtu se prania e një eksperti mjekoligjor në ekipin zyrtar të vrasjes së paku 24 orë para krimit, dhe diskutimi për copëtimin e trupit të Khashoggit dy orë para se të ndodhte ngjarja “gjithashtu tregon qartë se vrasja ishte planifikuar.”

Gjykatësi, tha ajo, ka shkelur qartë ligjin ndërkombëtar duke konkluduar se nuk kishte qëllim në vrasje, por i dënoi të pandehurit me dënim me vdekje.

Ajo gjithashtu vuri në dukje se të pandehurit kishin deklaruar vazhdimisht gjatë seancave dëgjimore se kishin zbatuar urdhrat./AA

OPINIONE