Shqiperia

Elbasan, rihapet panairi i fondacionit turk për fëmijët në nevojë

Rihapet, sërisht në Elbasan, Panairi i Fondacionit për Fëmijët në Nevojë. Kjo shoqatë, ka rihapur, për së dyti herë, panairin për të mbledhur të gjitha fondet e nevojshme për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie sociale. Ky panair u organizua nga Shoqata Arsimore jo Qeveritare “Çamllexha”, me epiqendrën e saj në Turqi. Drejtori i kësaj shoqate, z. Sulejman Çamurcu, i shoqëruar nga përgjegjësi i shoqatës, z.Haxhi Duka, theksoi, në një intervistë për gazetën tone se, kjo shoqatë ka interesa sociale për të ndihmuar fëmijët në nevojë në arsimimin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Në Shqipëri, shoqata “Çamllexha”, është ndërtuar në vitin 1992, në qytetin e Shkodrës. Më pas, në vitin 1996, ajo i shtriu shërbimet e saj drejt Tiranës, kryesisht në Kashar, por ka degëzim edhe në qytete të tjera si: Elbasan, Durrës, etj, pra shtrihet, gjithësej, në rreth 32 vende të Shqipërisë.

Panairi i kësaj shoqate, i cili u çel në datën 5 maj dhe do të vazhdojë deri më datën 11 maj, do të jetë i hapur nga ora 08:00-21:00, në sheshin “Gensher”. Aty do të ketë ushqime tradicionale turke të gatuara nga kuzhinier specialist të ardhur enkas nga Turqia, si edhe Pazar me rroba apo veshmbathje, të gjitha materjal origjinal turk. Çmimet do të jenë simbolike dhe të gjitha të ardhurat do t’i kalojnë shoqatës, e cila, si u tha më sipër, do t’i shpërndajë, këto të ardhura, për financimin e fëmijëve në nevojë, për edukimin dhe arsimimin e tyre.

Në ndihmë të misjonit social të kësaj shoqate, ka ardhur edhe Myftinia i Xhamisë së Elbasanit, Agim Duka, si edhe Bashkia e këtij qyteti.

Është hera e dytë që ky fondacion çel të tillë panair në këtë qytet./ Alma Prifti/ ML