Rajoni

Elezi: Rregullohen me ligj shpenzimet për kreditë e shpejta nën 200 euro

Zëvendës ministrja e Financave e Republikës së Maqedonisë, Shiret Elezi, deklaroi të mërkurën se dikasteri të cilin e përfaqëson, ka përgatitur ndryshimet ligjore me të cilat do të ulen të dhënat e larta për të ashtuquajturat, kredi të shpejta.

Pas një takimi të mërkurën me kryetaren e organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve, Marijana Lonçar, Elezi tha se me ndryshimet e reja ligjore, totali i shpenzimeve vjetore të kredive konsumatore përkufizohen në 55 për qind nga totali i kredisë, ndryshe nga përvoja e deritanishme, ku shpenzimet kanë arritur në 500 për qind nga shuma e kredisë.

Vlen të theksohet, tha Elezi, se me ndryshimet e reja do të përfshihen edhe kreditë nën 200 euro, që nuk kanë qenë më parë, ku për ilustrim, tha se për një kredi prej 12 mijë denarë, qytetari në bazë vjetore ka kthyer 36 mijë denarë.

Sipas saj, masat e reja bëhen për të mbrojtur qytetarët duke ulur rrezikun nga përkeqësime të mëtutjeshme të situatave, ku përvoja flet se klienti i cili nuk ka qenë në gjendje të kthejë kredinë e marrë, është huazuar sërish diku tjetër për të rikthyer borxhin e vjetër.

“Ankesa e qytetarëve u referohen kryesisht këtyre kredive të vogla, për çka kemi parë të arsyeshme që me organizatën për mbrojtjen e konsumatorëve t’u dalim në ndihmë. Në sistemin elektronik ENER do t’i paraqesim publikut ndryshimet ligjore të propozuara, prandaj kërkojmë nga opinioni i gjerë të paraqesë propozimet, në bazë të të cilave ministria për Financa do të përpilojë ndryshimet ligjore të cilat do t’ia dorëzojë qeverisë”, tha Elezi.

Kryetarja e organizatës për mbrojtjen e konsumatorëve, Marijana Lonçar, tha se ndryshimet janë të mirëseardhura, sidomos për konsumatorët, pasi të njëjtat përkufizojnë shkallën vjetore të totalit të të dhënave për kredi.

“Përfitimi i konsumatorëve është se ndryshimet ligjore përfshijnë edhe kreditë deri në 200 euro, që deri më tani nuk kanë qenë të përfshira me ligj, sepse konsumatorët mashtrohen nga këto kredi të cilat zakonisht publikohen se një hua pa kamatë, ndërkohë që shpenzimet e përllogaritura paraqesin një kamatë të fshehur”, tha ajo.

Ministrja Elezi tha se ndryshimet në ligjin për kreditë e shpejta vijnë në një kohë kur mbarojnë pushimet vjetore, ku rriten nevojat financiare të qytetarëve, prandaj ky ligj sipas saj, synon të mbrojë qytetarin.

Burimi: AA

OPINIONE