BE: Elitat politike në Ballkanin Perëndimor, të lidhura me strukturat kriminale

Bashkimi Europian e ka ashpërsuar gjuhën vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në versionin më të ri të Strategjisë për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Europian thekson se elitat politike të vendeve të rajoni janë të lidhura me strukturat kriminale.

“Sot, në vendet (e rajonit) ka elemente të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të administratës, si edhe të përzierjes së thellë të interesave publike dhe private”, theksohet në versionin më të ri të Strategjisë.

“E gjithë kjo krijon ndjenjën e mosndëshkimit dhe të pabarazisë”, theksohet në tekstin e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, e cila pritet të publikohet të martën, në Strasburg.

Në versionin e fundit të këtij dokumenti, të cilin e ka në dispozicion Radio Evropa e Lirë, theksohet nevoja për forcimin e sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Pavarësia e qartë dhe fuqizimi i sistemit të drejtësisë, si edhe përgjegjësia e qeverive dhe administratave janë të domosdoshme për ndryshimet e qëndrueshme shoqërore të cilat janë të nevojshme”, theksohet në pjesën e Strategjisë që flet për sundimin e ligjit në vendet e rajonit.

Në këtë dokument theksohen dy prej çështjeve më të rëndësishme për marrëdhëniet midis vendeve të rajonit: normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë e Kosovës dhe kontestet kufitare bilaterale.

“Nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në rajon pa normalizimin e plotë e gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Beogradit e Prishtinës, nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve është çështje urgjente dhe thelbësore për përparimin e Serbisë dhe Kosovës në rrugëtimin evropian”, theksohet në tekstin e strategjisë.

Aty parashikohet që kjo marrëveshje të arrihet deri në fund të vitit 2019.

Në tekstin e Strategjisë theksohet se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin të gjitha kontestet bilaterale para se të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

“BE nuk mundet dhe nuk do të importojë konteste bilaterialle”, thekson dokumenti.

Në pjesën për kontestet e pazgjidhura lidhur me kufijtë midis vendeve të Ballkanit perëndimor thuhet se ato “duhet t’i zgjidhin ato pa kushte, përmes arbitrazhit ndërkombëtar”, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne